Ish-guvernatori Rexhepi: Kosovës i duhet bankë investive , qytetarët po paguajnë shumë shtrenjtë shërbimet bankare

Sektori bankar gjatë vitit 2022, realizoi fitim në vlerë prej 107.7 milionë euro, vlera më e lartë e regjistruar që nga themelimi i sektorit bankar në Kosovë. Ky rezultat financiar i atribuohet rritjes më të lartë të të hyrave, dhe rritjes relativisht më të ulët të shpenzimeve.

Por pavarësisht fitimeve dhe me shkallën më të ulët të kredive të këqija, që llogaritet të jetë më e ulëta në rajon me rreth 2.5 përqind, bankat çdo gjashtë muaj po i rrisin normat e tarifave për shërbimet e mirëmbajtjes së llogarive, transaksioneve e po ashtu pas krizës globale kanë rritur edhe normat e interesit për kredi aktive.

Sektori bankar sipas ish guvernatorit të BQK-së Hashim Rexhepi, ka qenë ndër sektorët më të suksesshëm dhe që ka kontribuar në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Mirëpo ajo çfarë i ka lënë përshtypje, janë ngarkesat e mëdha që janë duke i aplikuar bankat ndaj qytetarëve dhe bizneseve.

“Më bëjnë përshtypje ngarkesat e mëdha që i bëjnë bankat qytetarëve dhe bizneseve, në kuptim të mirëmbajtjes së llogarive, pastaj pagesat që bëhen në transaksione bankare. Në bazë të asaj çka pash gjenerojnë diku 20 përqind të fitimeve të bankave. Vërejmë se në bazë të të dhënave të BQK-së, kreditimi ka vazhdua të rritet diku me normën mbi 10 përqind, gjithashtu kemi rritje të depozitave dhe çka është me e rëndësishme detyrimet që i kanë qytetarët ndaj bankave përmbushen mirë. Shkalla e kredive të këqija është më e ulëta në rajon me 2.5 përqidn që tregon që edhe politika e kreditimit është më e shëndetshme. Mirëpo vet fakti që profilbateti i bankave është relativisht i lartë dhe tregon se afarojn me principet që ju përshtaten”, tha Rexhepi për “IndeksOnline”.

Ai ka shtuar se bankat duhet të ju mundësoj qytetarëve qasje shumë më të lehtë për kredi.

Të ju mundësoj qasje shumë më të lehtë veçanërisht bizneseve të vogla dhe të mesme po ashtu edhe qytetarëve në kredi, në mënyrë që të mbështes projekte zhvillimore të bizneseve dhe të bëhet faktor i rritjes së biznesit… Konsideroj që konkurrenca e bankave duhet të rritet dhe të ndikojnë që këto norma të zvogëlohen. Për shkak se qëndrimi afat gjatë dhe stabiliteti afatgjatë i bankave varet nga rritja e kreditimit nga zvogëlimi i barrierave që ju krijojnë bizneseve, kështu që në këtë kuptim e vlerësoj që bankat në këtë periudhë kohore duhet të marrin pak më shumë rreziqe dhe ti rishikojnë ngarkesat e mëdha që iu bëjnë bizneseve dhe qytetarëve në tarifat e ndryshme”, tha Rexhepi.

Ai po ashtu thotë se shteti duhet të mendoj të krijoj bankën investive, që do të ishte një mbështetje e madhe për bizneset.

“Konsideroj që ka hapësirë që të mendohet për krijimin e një banke investive që të rregullohet më qartë çështjen e kredive hipotekare , të mundësonte zgjidhje më të shpejt të banimit të qytetarëve.

Banka investive do të ishte diçka më e qëndrueshme, ku kishte mund me u kiju me partneritet publiko-priva. Do të ishte më atraktive në thithjen e mjeteve të ndryshme për mbështetjen e projekteve zhvillimore, veçanërisht të projekteve kapitale që i ka Kosova apo që duhet ti ketë”, tha Rexhepi.

Ndërsa zyrtarët e BQK-së, kanë thënë se në dhjetor të vitit të kaluar, norma e interesit në kredi ishte 6.3%. PO ashtu BQK-ja, sipas përgjigjeve për “IndeksOnline”, nuk ka kompetenca të politikës monetare, andaj normat e interesit përcaktohen nga dinamikat globale në normat e interesit, si dhe nga faktorë tjerë të shumtë në tregun e brendshëm.

“Për kreditë ekzistuese, shumica e të cilave janë me norma fikse, nuk ndryshon kosto/interesi/kësti; ndërkaq për kreditë me norma variabile të interesit, mund të ndryshojë norma e interesit, varësisht nga ndryshimi i normës referente, kryesisht Euribor-it”, thuhet ë përgjigjen e BQK-së.

PO ashtu zyrtarët e BQK-së, kanë thënë se në rastet kur BQK-ja evidenton, se një institucion financiar vepron në kundërshtim me aktivitetin për të cilin është licencuar nga ana e BQK-së, ndërmerren veprime dhe masa administrative, konform legjislacionit në fuqi.

Sipas tyre, për gjashtë muajt e fundit kanë pranuar vetëm 2 ankesa ndodhur me rritjen e normës së interesit.

“Janë gjithsej 2 ankesa të pranuara lidhur rreth rritjes së normës së interesit. Që të dyja ndërlidhen me kreditë hipotekare/lizing dhe që të dyja kanë qenë kredi të lejuara me normën variabile”, thuhet në përgjigjet e BQK-së.