Ish-kryegjyqtari i EULEX – it: S’ka pasur kurrë prova për raportin e Dick Marty -t

Ish-kryegjyqtari i EULEX, Malcolm Simmons ka komentuar një deklaratë të ish-komandantit të NATO-sm, Erhard Butler në Kosovë i cili tha se kur Dick Marty kishte publikuar raportin për UÇK-në, ishin kontrolluar arkivat e NATO-s mirëpo nuk ishte gjetur asnjë provë për krimet e pretenduara.

Në një postim në Twitter, Simmons ka thënë se prova të tilla s’ka pasur asnjëherë.

Madje ai ka thënë se ka shumë pyetje për të cilat duhet përgjigje sa i përket pretendimeve kundër UÇK-së.

“Kurrë s’ka pasur prova. Shumë pyetje që u duhet përgjigje”, ka shkruar Simmons në profilin e tij.

Ndryshe, ish-komandanti i KFOR-it, Erhard Bühler ka folur për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po akuzohen në Hagë për krime lufte.

Ai thekson se në kohën sa ishte ish-komandant, nuk kishte dëshmi konkrete për akuzat që ishin bërë për ta në raportin e Dick Martyt.

“Në kohën sa kam qenë unë komandat është publikuar raporti i zviceranit Dick Marty. Natyrisht që ne i kemi shikuar të gjitha arkivat dhe kemi bërë përpjekje që të gjejmë dëshmi konkrete për këto akuza, por nuk kemi gjetur. Nuk kemi gjetur asnjë dëshmi për këto pohime”, tha ai.

Madje, Bühler shprehu keqardhje për vonesat e shkaktuara nga ky proces duke thënë se faktet dhe provat kanë qenë të pakta në fillim të procesit.

“Unë i njoh tre prej tyre dhe gjithmonë nisem nga parimi, se secili njeri është i pafajshëm deri në vendimin përfundimtar të gjykatës. Natyrisht që ne e kemi përcjellë edhe të gjithë debatin për këtë çështje dhe shpreh keqardhje për zgjatjen kaq të madhe të proceseve. Është për të ardhur keq edhe fakti që provat kanë qenë kaq të pakta në fillim të procesit, sa që tani prokuroria po detyrohet të bëjë hetime të tjera të shumta pas publikimit të aktakuzës së parë’, shtoi ai.