Ish ushtari Lushi takon krerët e UÇK-së në Hagë

Ish ushtari i batalionit “Atlantiku”, Uk Lushi ka bërë të ditur se ka vizituar në Gjykatën Speciale krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përcjell Fokusi.info.

Lushi ka thënë se ka kaluar një ditë me njerëzit e UÇK-së, të cilët do të dalin të pafajshëm ashtu siç janë.

Gjithashtu ai tha se nuk mund të ketë një forcë që mund ta ndryshojë historinë e Kosovës.

Postimi i plotë i tij:

Sërish kalova Atlantikun për t’u takuar me UÇK-në. Kalova një ditë me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn në Hagë. Kam qenë i bindur që në Gjykatën Speciale përmes një procesi fer, njerëzit e UÇK-së do të dalin të pafajshëm ashtu siç janë. Fatkeqësisht, ky proces po kalon me shkelje të rënda të drejtave të njeriut, me procedura të paprecedent. Beteja në Hagë është betejë për mbrojtjen e interesit nacional. Haga duhet të na bashkojë rreth luftës së popullit të Kosovës për liri dhe përparim. Nuk ka forcë që mund ta ndryshojë historinë e Kosovës.