Haxhiu: Ka dyshime se po përdoren standarde të dyfishta në trajtimin e kërkesave për lirim me kusht nga të burgosurit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka raportuar në Komisionin për Legjislacion, ku përmendi se njëra ndër çështjet për të cilën kanë pasur ankesa të shumta ka qenë çështja e trajtimit të kërkesave të të burgosurve për lirim me kusht.

Haxhiu shtoi se ka dyshime se paneli i cili është në kuadër të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe merret me trajtimin e këtyre kërkesave, po përdor standarde të dyfishta.

“Një prej problemeve është çështja e funksionimit të panelit për lirimin me kusht që është në kuadër të KGJK, dhe ka shumë ankesa se a trajtohen siç duhen rastet e kërkesave për lirim me kusht nga i njëjti panel, ka dyshime të mëdha por unë nuk kam fakte që të dal me një konkludim. Ka shumë ankesa nga të burgosurit që përdorën standarde të dyfishta nuk trajtohen njëjtë kërkesat për lirim me kusht”, ka deklaruar Haxhiu.

Ai ka shtuar se kanë konsideruar si të rëndësishme që të krijohet një trup i ri shqyrtues për këtë çështje që do të përbëhet nga tre gjyqtarë të Gjykatës Supreme, shkruan Telegrafi.

“Ne kemi konsideruar që është e rëndësishme që vendimet e këtij paneli të jenë objekt i ankimimit, pra do të krijohet një trup i ri shqyrtues prej tre gjyqtarëve të Gjykatës Supreme sepse konsiderojmë që ky është modaliteti më i mirë i adresimit të ankesave të të dënuarve për këto raste. Ne konsiderojmë që ky është një afirmim i një standardi për të drejtat e njeriut dhe rritjen e transparencës dhe llogaridhënës për këtë institucion”, u shpreh Haxhiu.

Ministrja theksoi se gjithashtu çështje tjetër e cila është diskutuar shumë ka qenë çështja e pushimit vjetor për të burgosurit.

“Ju e dini se aktualisht të burgosurit kanë vetëm 7 ditë pushim plus 7 ditë të tjera në rrethana të jashtëzakonshme ku përfshihen rastet e vdekjes. Ne kemi shtuar edhe 7 ditë të tjera që i bie 14 ditë pushimi në vit të rregullta plus 7 të tjera në rrethana të jashtëzakonshme që i bie 21 ditë në vit gjithsejtë”, tha Haxhiu.

Haxhiu theksoi se nuk përjashtohet në asnjë moment që kjo çështje të trajtohet nga Komisioni për Legjislacion dhe nëse parashihet që këto ditë të ngritën është në mandatin e komisionit.