“Ishte mesazh i qartë për dialogun”, Valon Murati flet për vizitën e Kurtit në ShBA

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka komentuar vizitën e kryeministrit Albin Kurti në SHBA. Thotë se fakti që Kurti nuk kishte takime të rëndësishme në Departamentin amerikan të Shtetit është mesazh i qartë se Kosova s’po i merr seriozisht bisedimet për marrëveshjen finale me Serbinë.

“Mungesa e takimeve të nivelit të lartë, së paku në State Departament, e cila e ka Kosovën punë, sepse State Departamenti është ai që merret më së shumti me Kosovën, është mesazh i qartë tash e një kohë dhe lidhet drejtpërdrejt me bisedimet, lidhet drejtpërdrejt me atë që ata e ndjejnë që ka një mungesë të vullnetit për tu marrë seriozisht me bisedimet”, tha Murati në emisionin DPT te Fidani në T7.

“Bisedimet për targa dhe çështje të tjera mund të vazhdojnë me vite të tëra, edhe për çështje që mund të trajtohen si teknike. SHBA’të janë të interesuara për zgjidhjen politike”, shtoi ai.

Murati ripërsëriti qëndrimin e LB për ripërcaktim të kufijve.

“Unë për vete nuk shoh opsion tjetër për zgjidhjen e problemeve. Shoh mundësi për zgjatje të status quos, shoh mundësi të zgjatjes së kësaj situate, por nuk shoh zgjidhje në mes të Kosovës dhe Serbisë përfundimtare, përveç ripërcaktimit të kufijve”, theksoi Murati.