Janjiq: Tani Serbia mund të fitojë më shumë sesa ka kërkuar

Drejtori i Forumit serb për Marrëdhënie Etnike, Dushan Janjiq, ka vlerësuar se rezultati i raundit të djeshëm të dialogut në Bruksel ishte i pritshëm dhe se në fakt vetëm tani po fillon një proces serioz negociues diplomatik. Janjiq pretendon se Serbia ka fituar më shumë hapësirë ​​për manovrim në lidhje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, sa i përket juridiksionit dhe autonomisë rajonale në veri të Kosovës, raporton portali serb “KosovoOnline”.

“Ne morëm atë që duhej të prisnim, një hap serioz në drejtimin e duhur, siç thotë edhe emri i propozimit – është rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, ka thënë Janjiq.

Ai po ashtu ka vlerësuar se bisedimet e djeshme kanë qenë ndryshe në krahasim me ato të dhjetorit dhe se tani ka një debat serioz politik si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, por edhe në nivel ndërkombëtar.

“Po fillon një proces serioz negociues diplomatik”, thotë Janjiq dhe shton se bisedimet kryesore do të ketë gjatë muajit mars, kur pritet formimi i një ekipi monitorues ndërsa zbatimin e propozimit do të bëhet deri në prill.

Ai thotë se ky është një proces i vështirë, i cili do të çojë në zhvillimin e Serbisë dhe anëtarësimin e saj në BE.

I pyetur se çfarë hapash duhet të ndërmarrë Qeveria e Serbisë, Janjiq ka pretenduar se fillimisht duhet të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare, nëse deri më 24 mars arrihet marrëveshja për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kur është fjala për kryenegociatorin Aleksandër Vuçiq, Janjiq shton se sipas qëndrimit të bashkësisë ndërkombëtare, por edhe të opinionit vendor, ai duhet të mbetet në këtë pozicion, por se është e nevojshme të krijohet një organ i veçantë me përfaqësues të qeverisë serbe, të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovë dhe opozitës, të cilët do të këshillohen për hapat e mëtejshëm.

I pyetur nëse Perëndimi po nxiton të arrijë një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë para 10 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, Janjiq ka thënë se të gjitha palët pjesëmarrëse në dialog kanë “disa afate”, por se nxitimi është bërë për të dalë nga faza në të cilën ekzistonte kërcënimi i luftës, përcjell Paparaci.

“Kemi dalë nga fazat e barrikadave, policisë, sulmeve me dronë në fund të dhjetorit… Do të shohim planin e zbatimit, do të shohim afatet. Nuk besoj në afatet e BE-së dhe është më mirë që kjo të pastrohet deri në mars, prill sesa të presim dhe gjatë kësaj kohe të grindemi. Kishim aq shumë afate joreale të përcaktuara nga ekipi i Lajçakut, saqë ato ngulfatën gjithçka”, ka thënë Janjiq.

Ai ka theksuar se afatet nuk janë fikse, por përvoja tregon se ato përcaktohen në bazë të prioriteteve të Perëndimit.

“Për ta edhe shtatë ditë janë shumë kur i përcaktojnë obligimet e dikujt, e kur janë obligimet e tyre duhet të presim pesë vjet”, konstaton Janjiq.

Duke komentuar situatën në Kosovë, pasi që Kurti është cak i kritikave nga opozita atje, Janjiq thotë se dihet që Kurti dhe opozita nuk janë të dashuruar.

“Atje opozita, në dallim nga e jona, është unike në qëndrimin se marrëveshja duhet të zbatohet, e konsideron të dëshirueshme dhe mbi të gjitha si një mjet për afrimin e SHBA. Kjo është ajo që është unike për opozitën, kështu që Kurtin e kritikojnë nga të gjitha anët”, ka thënë Janjiq dhe ka shtuar se edhe Vlora Çitaku, të cilën e sheh si presidente të ardhshme të Kosovës, e di shumë mirë se SHBA ka ndryshuar qëndrim dhe se nuk ka njohje reciproke.

Mirëpo, në anën tjetër, ai thotë se Serbia ka pasur më shumë hapësirë ​​për manovrim, pikërisht falë politikës së keqe dhe keqpërdorimit të Asociacionit si nga Thaçi ashtu edhe nga Kurti.

“Neni 7 i marrëveshjes për Asociacionin, parasheh që Asociacioni, ashtu siç është dakorduar në vitin 2013 dhe 2015, mund të “mbindërtohet” me autonomi serioze, së bashku me pavarësinë dhe statusin e Kishës Ortodokse Serbe. Serbia është në gjendje të fitojë diçka që as nuk e ka kërkuar, sepse Asociacioni ka qenë një projekt i ngushtë politik ideologjik i Partisë Përparimtare të Serbisë dhe Tomisllav Nikoliqit”, ka thënë Janjiq.