Jasharaj: Greva vazhdon, mësim nuk do të ketë as në komunat e VV-së

Pas thirrjeve nga MAShT-i për të nisur procesin mësimor ditën e nesërme, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë se greva në arsim nuk do të ndalet as nesër.

Sipas Jasharaj, pakoja e prezantuar nga kryeministri Albin Kurti dhe ministri Hekuran Murati nuk është realizim i kërkesave që ata kanë pasur.

“MASHT-i është dashur të ndikojë te qeveria që të ketë dialog. Ne kishim shpresë nga takimi me presidenten,” ka thënë Jasharaj për RTK-në.

Edhe pse në përgjigje të thirrjeve nga MASHT-i, kanë dalë katër kryetarët e komunave që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje, Gjilani, Podujeva, Shtimja dhe Kamenica, të cilët kanë kërkuar nga prindërit që nesër t’i dërgojnë fëmijët në shkollë, Jasharaj ka thënë se mësuesit nuk do të luhaten nga presionet as në ato komuna dhe greva do të vazhdojë.

Ndër të tjera, Jasharaj ka kërkuar të mos bëhet presion ndaj mësuesëve.