Jasharaj: Shkollat nuk janë të përgatitura për fillimin e vitit të ri shkollor

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë se shumica e shkollave nuk janë gati për të filluar mësimin.

Kjo deklaratë e tij vjen pas vendimit të Qeverisë për hapjen e shkollave nga 1 shtatori.

“Sa patëm takim virtual me Komunat dhe Këshillin Drejtues, ku ata deklaruan se shkollat nuk janë të përgatitura për fillimin e vitit të ri shkollor, me përjashtim të disave“, deklaroi Jasharaj për Blic.

Kryetari Rrahmani tha se ndoshta do të ishte më mirë që mësimi të shtyhej edhe për disa ditë që të mundësohet përgatitja e duhur e objekteve shkollore për fillimin e vitit të ri shkollor, në mënyrë që shkollat mos të shndërrohen në vatra të reja të shpërndarjes së virusit.

Ai deklaroi se do të mbahet edhe një takim nesër në mëngjes ku do të flitet edhe me qeverinë për të diskutuar për fillimin e vitit të ri shkollor.

Ndryshe, Qeveria e Republikës së Kosovës, ka miratuar vendimin për përkrahjen institucionale dhe financiare për fillimin dhe realizimin e suksesshëm të vitit shkollor 2020-2021.

Vendimi i miratuar në mbledhjen e sotme është bërë sipas kërkesës së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për përkrahje institucionale dhe financiare për fillimin dhe realizimin e suksesshëm të viti shkollor 2020-2021. Mjetet e nevojshme janë llogaritur në vlerë prej 9,515,384 euro.