Jep dorëheqje një gjyqtare e Gjykatës Speciale

Ka më shumë se sa një javë që kur gjykatësja Ann Power-Forde ka paraqitur dorëheqjen nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, e njohur si Gjykata Speciale e Hagës.

Njoftimin për dorëheqjen e gjykatëses irlandeze e kanë bërë publike, Dhomat e Specializuara, në ditën kur ajo njoftoi largimin nga Regjistri i Gjykatësve Ndërkombëtarë të DHPS-së.

“Sot të hënën më 4 nëntor 2019, gjykatësja Ann Power-Forde paraqiti dorëheqjen si gjykatëse e Regjistrit të Gjykatësve Ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara të Kosovës”, thuhet në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të të ashtuquajturës Gjykatë Speciale.

Sipas njoftimit, dorëheqja e gjykatëses Power‑Forde është për arsye të emërimit të saj në Gjykatën e Apelit të Republikës së Irlandës.

“Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjykatësja Ekaterina Trendafilova, e përgëzoi gjykatësen Power-Forde për emërimin e saj dhe shprehu falënderimin e vet për kontributin e gjykatëses Power‑Forde në mandatin e Dhomave të Specializuara të Kosovës”, thekson kumtesa e cila përkundër se ka më shumë se një javë që u lëshua, nuk u transmetua në mediat në Kosovë. /Reporteri.net/.