Joshua shpalos planet, synon të kthehet si kampion botëror

Boksieri britanik Anthony Joshua (22 fitore dhe 1 humbje në karrierë) premtoi sot se do te rikthehet kampion i botës në peshat e rënda në boks, pasi do ta fitojë revanshin ndaj meksikanit Andy Ruiz Jr (33 fitore e 1 humbje në karrierë).

Kjo sfidë e dytë mes tyre do të zhvillohet në nëntor ose dhjetor të këtij viti, por ende nuk është përcaktuar data e saktë dhe vendi.

“Jam gati për të zhvilluar revanshin dhe jo vetëm kaq, por edhe të rikthehem kampion i botës. Dështimi i parë tashmë është lënë pas krahëve. Nuk jam nga ata që tërhiqem përballë vështirësisë së parë. E ndiej se tani jam sërish gati, ndaj e kërkoj me çdo kusht këtë revansh. Ambicja ime në boks për momentin janë të rikthehem sërish kampion bote”, tha Joshua.

Sfida e parë mes dy boksierëve u zhvillua në Nju Jork më 1 qershor, me Ruiz që triumfoi me “KO teknik” në raundin e shtatë, duke rrëmbyer titujt kampionë bote në peshën e rëndë në kategoritë IBF, WBA dhe WBO.

Kjo ishte sfida e parë e Joshua në Nju Jork, ku pësoi edhe humbjen e parë në karrierë dhe kërekon që revanshin ta zhvillojë në Britaninë e Madhe.