“Ka vdekë ky majmun” – Halitjaha pyetet se a e njeh njeriun që e torturoi gjatë luftës

Ish-eprori i UÇK-së, Sadik Halitjaha, ka vazhduar të dëshmojë në Gjykatën Speciale.

Ai u pyet nga ZPS-ja për disa emra, të cilëve iu mbrojt identiteti.

Halitjaha tha se disa nga këta persona e kanë torturuar gjatë kohës së luftës, dhe se ai ka shërbyer si sekretar në sekretariatin e Prizrenit.

“A e njihni emrin te 54-ta, sërish pa thënë emra?”, pyeti prokurori.

“Po si mos ta themi emrin z. Prokuror se këta na kanë rrahë na kanë shkoq me dru, ne s’ia themi as emrin, ka vdek ky majmun. Ka qenë 10 vite sekretar i sekretariatit sekret të Prizrenit”, u përgjigj Halitjaha.

Halitjaha po ashtu i përmendi edhe emrat e disa shqiptarëve të cilët ai pretendon se e kishin torturuar në burgun e ish-Jugosllavisë.

“Kam parë një listë te ju me emrat e njerëzve të shërbimit sekret jugosllav, nga ata kam njohur Vesel Krasniqin, Latif Dullën dhe disa të tjerë që më ka torturu mu në burgun jugosllav. Në të njëjtën listë kam parë emrin e Jakup Muharremajt, që s’ka pasur lidhje me ta”, tha ai.