Kajtazi s’ia tregon emrin personit që foli me shefin e BIA-s: Shteti të merret me të

Gazetari Vehbi Kajtazi ka deklaruar sonte se nuk e ka ndërmend që t’ia zbulojë emrin personit që është i përfshirë në një bisedë, me shefin e BIA-s për Kosovë, Bojan Dimiq.

Paparaci, ka publikuar të hënën një audio-incizim që dëshmon përfshirjen e hiç më pak se zyrtarit të lartë shërbimit sekret serb në këtë proces gjyqësor.

Dimiq, një nga udhëheqësit e lartë të BIA-s serbe, flet për dëshmitarë kundër Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit në një bisedë telefonike me një person shqiptar, i cili në këtë audio-incizim prezantohet si personit ‘X’ (Paparaci është në dijeni për identitetin e personit ‘X’).

Kajtazi, sonte tha se njerëzit nuk duhet të shndërrohen në tabelë qitjeje, pasi “ne jemi euforikë”.

Megjithatë, Kajtazi tha se institucionet e Kosovës duhet të merren me këtë person. “Jam i gatshëm me bashkëpunu me shtetin, aq sa ma lejon etika profesionale, zanati”.

Mes tjerash, ai tha se personi “X” nuk është person publik, por theksoi se “fatkeqësisht, AKI-ja dhe komplet shteti është i nënshtruar në raport me Prokurorinë në Hagë”.

“S’e kam në plan t’ia zbuloj emrin. E di se kush është. Nuk është ideja me zbulu njeriun dhe ta bëjmë tabelë qitjeje. Ne jemi euforikë. U pa në dy raste të dëshmive në Hagë, rasti i parë është me qytetarin nga Kaçaniku, që e shpallen tradhtar. Ka marrë kërcënime dhe linçime”, tha ai në Klan Kosova.

Sipas tij, ai do të duhej të dëshmonte i lirë pa presion e të kthehej në shtëpinë e tij.

“Gjuha e përdorur ndaj tij, nuk i ndihmon të akuzuarve në Hagë. Shihet si presion dhe kërcënim i dëshmitarëve. E pamë rastin me Fred Abrahams, ka pasur një gjuhë të papërshtatshme ndaj tij. Dëshmia e tij, ka qenë e favorshme për të akuzuarit në Hagë”, tha Kajtazi.

“Duhet ta cilësojmë si dëshmitar të sinqertë, i pranoi gabimet e tij. Nuk duhet t’i bëjmë njerëzit tabelë qitjeje. Shteti është marrë me të më herët, organet e sigurisë. Tash duhet të merren seriozisht, pasi përmbajtja e bisedës është goxha e rëndë, problematike”, deklaroi Kajtazi.

Sipas tij, Prokuroria e Hagës ka më shumë kompetenca se cilido institucion në Kosovë.

“Ka kompetencë me hetu AKI-në”, vijoi Kajtazi.