Kallëzim penal kundër ish-ministrit Selimi dhe drejtorit të SHKK-së, Nehat Thaçi

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka bërë të ditur se sot kanë dorëzuar kallëzim penal kundër ish-ministrit, Selim Selimi dhe drejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi.

Përmes një postimi në Facebook, Sallahu njoftoi se po ashtu njëanshëm kanë anuluar “kontratën kriminale përmes së cilës persona të papërgjegjshëm kanë dhënë në shfrytëzim pronën e Ministrisë së Drejtësisë, personit juridiko privat pa asnjë bazë ligjore, gjithsej 2 hektarë e 12 ari e 17 metra katror”.

“Po ashtu kemi dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale kundër ish Ministrit Selim Selimi dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi. Dhe krejt në fund kemi dorëzuar kërkesën në Këshillin Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë kundër Nehat Thaçit për shkak të shkeljes së rëndë të detyrave të punës”, shkruan Sallahu.

Në fund ai shkroi “Nuk mund dhe nuk duhet të tolerojmë shkelje të ligjit”.