Kamberi: Vulin vazhdon ta përdor me krenari termin pezhorativ “šiptari” për shqiptarët

Shefi i grupit parlamentar Lugina e Bashkuar – SDA e Sanxhakut, Shaip Kamberi, ka thënë se Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Serbisë, Aleksandër Vulin vazhdon ta përdor me krenari termin pezhorativ “šiptari” për shqiptarët.

Përmes një postimi në Facebook, Kamberi ka thënë se kjo qasje e Vulin tregon se nuk e respekton vetë shtetin e Serbisë dhe ligjet e saj. Duke ia kujtuar Vulinit se të gjitha dokumentet zyrtare të Republikës së Serbisë emërtojnë shqiptarët si “Albanci”.

Postimi i plotë:

Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Serbisë, z.Aleksandër Vulin vazhdon ta përdor me krenari termin pezhorativ “šiptari” për shqiptarët.

Problemi nuk është se po ndjehem i ofenduar si shtetas i përkatësisë kombëtare shqiptare. Sepse nuk mund të ndjehesh i ofenduar nga dikush që nuk ka dinjitet.

Problemi është se z.Vulin tregon se nuk e respekton vetë shtetin e Serbisë dhe ligjet e saj. I kujtojmë z.Vulin se të gjitha dokumentet zyrtare të Republikës së Serbisë emërtojnë shqiptarët si “Albanci”.

Paramendoni, Ministri i Brendshëm që nuk i përfill ligjet e shtetit, terminologjinë zyrtare. Prandaj, z.Vulin është sot një nga simbolikat më të mira se ku është katandisur Serbia së sotme.

Pa e harruar faktin se duke e përdorur gjuhën e urrejtjes ndaj shqiptarëve, z.Vulin dëshmon se nuk shqetësohet për reagimin që prodhon gjuha e tij, në përditshmërinë e qytetarëve serbë që jetojnë në mjediset e përziera me shqiptarët.

Por natyrisht se z.Vulin nuk shqetësohet për fatin e Sllavicës dhe Draganit që bashkëjetojnë me shqiptarët. Ata dëshiron vetëm t’i shfrytëzojë për pushtetin e tij, duke e aktruar patriotin serbomadh nga restorantet luksoze të Beogradit.