Kandidati i përhershëm për Ministër të Jashtëm, Surroi: Kosova nuk e ka fituar luftën me Serbinë, e fitoi NATO-ja për Kosovën

Veton Surroi, opinionist i njohur, ka shkruar një shkrim në të cilin ka komentuar një fjalim të Edi Ramës, kryeministër i Shqipërisë.

Në shkrimin e tij me titull “Kryeministri dhe çunat e lagjes”, i botuar në Koha, Surroi bën një interpretim interesant në lidhje më pjesën e fjalimit, në të cilin ai thotë se Rama deklaroi që Kosova e fitoi luftën, por jo edhe paqen.

Sipas Surroit, ky është një gabim faktik. Në interpretimin e Surroit, Kosova nuk e ka fituar luftën, por e ka fituar NATO-ja për Kosovën.

“Gabimi është faktik. Kosova nuk e ka fituar luftën, e ka fituar NATO-ja për Kosovën. Ushtria e RFJ-së (Serbisë dhe Malit të Zi, asokohe) nënshkroi kapitullimin me NATO-n, jo me autoritetet e Kosovës. UÇK-ja u detyrua të zhveshë uniformat dhe të dorëzojë armët, presidenti Rugova të hyjë nën administrim të UNMIK-ut.” – shkroi ai.

Tutje, ai ka theksuar se nëse Kosova do ta kishte fituar luftën, atëherë “nuk do të kishte nevojë për negociata të gjata”.

“Po ta kishte fituar Kosova luftën, nuk do të kishte pasur nevojë për negociata të gjata, do të përfundonin me vendosje marrëdhëniesh si mes Kroacisë e Serbisë.

Për Serbinë, lufta nuk ka përfunduar, ajo ka vazhduar me mjete të tjera. Sulmi paraushtarak në Banjskë ka qenë vetëm një akt i fundit i kësaj lufte.” – shkroi Surroi.