Kandidati që humbi garën përballë tezakes të Vjosa Osmanit: Isha i pari në listën e britanikëve

Dje u raportua për emërimin e tezakes të Presidentes Vjosa Osmani në pozitën e Drejtoreshës Ekzekutive në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural që udhëhiqet nga Faton Peci.

Dritën e gjelbër për emërimin e Venera Çerkinit ia ka dhënë Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 22 shkurtit ku sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla për këtë pozitë ishin gjithsej 15 kandidatë, derisa tre prej tyre u vlerësuan mbi pragun prej 70 përqind.

Ndaj përzgjedhjes së Çerkinit ka reaguar kundërkandidati i saj, Menderes Ibra.

Ibra përmes një shkrimi të gjatë në Facebook, ka thënë se ndjehet mirë për shkak se Ambasada e Britanisë së Madhe e kishte renditur si kandidatin më të kualifikuar, gjegjësisht e kishte renditur të parin në listë.

“Procesin e rekrutimit të nivelit të lartë drejtues e monitoron organizata e kontraktuar nga Ambasada e Britanisë së Madhe, dhe në ranglistën e tyre unë isha i pari. Personalisht, dëshiroj që të falënderoj britanikët për vlerësimin, dhe kjo më bëri që të ndjehem shumë mirë. Në mbledhjen e fundit Qeveria aprovoi vendimin e Ministrit të Bujqësisë, ku drejtoreshë u emërua kandidatja që ishte e para në listën e komisionit shtetëror, dhe procesi u përmbyll këtu”, ka shkruar ai.

Këtë reagim, Ibra tha se e po bën për shkak të interesimi të lartë për ta kuptuar rastin.

Ai ka njoftuar se fillimisht, konkursi ishte anuluar në mungesë të kundër-kandidatëve e që vetëm në muajin gusht 2022, është rishpallur konkursi, ku edhe u përzgjodh drejtori i ri i AZHB-së.

“Në gusht, konkursi u rishpall, dhe në listën e ngushtë u zgjodhëm 9 vetë. Pas testimit me shkrim dhe intervistës me gojë, në listën fituese nga komisioni shtetëror u zgjodhëm tre vetë, ku unë isha i dyti në listë“, ka shkruar ai mes tjerash.

Postimi i plotë: