Kapiteni i anijes bën hatanë në bregdetin e Shëngjinit, policia e shpall në kërkim

Policia e Shtetit ka identifikuar dhe ka shpallur në kërkim, kapitenin e anijes Ermir Kosova, që dyshohet të ketë hedhur mbetje vajore duke ndotur ujin në detin e Shëngjinit. Në njoftimin e bërë, Policia njofton se rreth orës 15:10 jemi njoftuar nga shërbimet e Policisë Kufitare, se kanë konstatuar ndotje të ujit, në fillimin e shetitores në bregdetin e Shëngjinit. Gjithashtu, janë marrë mostra të ndotjes për ekzaminim të mëtejshme, si dhe është administruar praktika e daljes së anijes nga porti.

NJOFTIMI I PLOTË:

Lezhë

Identifikohet dhe shpallet në kërkim kapiteni i anijes së një subjekti që dyshohet të ketë hedhur mbetje vajore duke ndotur ujin në detin e Shëngjinit. Rreth orës 15: 10 , jemi njoftuar nga shërbimet e Policisë Kufitare , se kanë konstatuar ndotje të ujit, në fillimin e shetitorës në bregdetin e Shëngjinit.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Shëngjin, të Komisariatit Lezhë dhe specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Lezhë kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë dhe kanë kryher veprimet e para hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij rasti. Gjatë verifikimeve të kryera dhe pas administrimit të raportit të nisjeve të anijeve në portin e Shëngjin, nga shërbimet e Policisë, ka rezultuar se ka dalë në lundrim anija tregtare me kapiten shtetasin E.K., për të cilin u bë shpallja në kërkim, për veprën penale “Ndotja e ajrit, ujit dhe tokës” , pasi dyshohet të ketë hedhur mbetje vajore në detin e Shëngjinit.

Gjithashtu, janë marrë mostra të ndotjes për ekzaminim të mëtejshme, si dhe është administruar praktika e daljes së anijes nga porti. Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.