Kastrati: Qeveria nuk guxon t’iu shpall luftë sindikatave

Nënkryetari i Partisë Social Demokrate, Qëndron Kastrati, ka diskutuar rreth rritjes së çmimeve në vend, duke thënë se kjo varet nga zhvillimet globale por edhe nga reagimi i shteteve në këto raste.

“Ne kemi parë në raport me energjinë si shtetet e rajonit kanë reaguar shumë më herët se Kosova. Sigurisht se Kosova ka mundur të bëjë shumë më tepër. Shembull në vend janë të bllokuar 600 milionë euro para të bllokuara për shkak të bllokimit të OSHP-së. OSHP-ja nuk po zhbllokohet pasi Qeveria dëshiron të emërojë aty njerëzit e vet”, tha ai në RTV Dukagjini.

Kastrati thotë se edhe Autoriteti i Konkurrencës nuk është në funksion dhe sipas tij sigurisht se mund të ketë dyshime për rregullim të çmimeve nga tregtarët.

Nënkryetari i PSD-së thotë se nuk mendon se është mirë të bëhet një tërheqje tjetër e parave nga Trusti.

“Nëse nuk ka zotim nga Qeveria se do t’i kthejë këto mjete nuk është mirë t’ua marrim të moshuarve këto mjete”, tha ai.

Kastrati thotë se është e papranueshme si Qeveria sillet ndaj sindikatave.

“Qeveria nuk guxon t’iu shpallë luftë sindikatave. Nëse i dërgon inspektorët në mënyrë të dhunshme mos po gjend diçka në sindikata, nëse deklaron publikisht se duhet ndryshuar krerët te këto sindikata, ai po iu shpall luftë atyre sindikatave”.