Katër të infektuar me COVID 19 janë në gjendje kritike

Aktualisht në Klinikën Infektive me COVID19 janë të hospitalizuar 83 pacientë, prej tyre 42 janë me oksigjeno-terapi, ndërsa katër të tjerë në gjendje të rëndë. E në orët e hershme të mëngjesit të sotëm betejën me COVID-19 e ka humbur edhe një person.

Drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj-Berisha për KosovaPress tha se në pritje të testit për COVID-19 janë edhe 11 persona.

“Në Klinikën Infektive momentalisht janë 94 pacientë të hospitalizuar, prej tyre janë 83 pacientë që janë COVID pozitivë, ndërsa 11 raste janë në pritje të rezultatit. Prej pacientëve të cilët janë COVID pozitivë të hospitalizuar 42 raste janë me oksigjeno-terapi, ndërsa 4 pacientë janë në mjekim intensiv të Klinikës Infektive në gjendje kritike”, tha ajo.

Ajazaj- Berisha ka folur edhe për pacientin i cili sot ndërroi jetë si pasojë e këtij virusi.

“Sot në orët e hershme të mëngjesit ka përfunduar me fatalitet, i cili ka qenë i pranuar për shkak të COVID pozitiv, i cili në orët e hershme të mëngjesit ka përfunduar me vdekje. Është fjala per një pacient 52-vjeçar nga Rahoveci”, tha ajo.

Drejtoresha e Klinikës Infektive tha se aktualisht asnjë nga stafi mjekësor i kësaj klinike nuk është pozitiv me COVID. Ajo shton se tani për tani janë të pajisur me masat mbrojtëse dhe besojnë që në këtë aspekt nuk do të kenë telashe.

“Edhe për momentin ne jemi të furnizuar me masa mbrojtëse dhe mendoj që edhe në të ardhmen meqenëse jemi klinikë që merremi me këto raste, mendoj që edhe në të ardhmen do të jemi të furnizuar dhe nuk do të kemi probleme”, tha Ajazaj-Berisha.

Ajo apelon qytetarët e Kosovës për respektim të rekomandimeve të institucioneve shëndetësore, si mbajtja e maskave dhe distancës sociale për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Që nga marsi kur u regjistruan infeksionet e para e deri më tash, Kosova ka 2073 raste me COVID-19, prej tyre 1018 të shëruar dhe 36 të vdekur.