Keqësohet gjendja e çekut të arrestuar, dërgohet në QKUK nën përcjelljen e policisë

Milan Janda, shtetas i Çekisë, ndaj të cilit Gjykata Themelore e Prishtinës sot shqiptoi masën e paraburgimit, është dërguar për trajtim në QKUK nën shoqërimin e Policisë së Kosovës.

Këtë për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar Avdush Bajgora, mjek kujdestar në QKUK.

“Po, ai është duke u trajtuar te ne”, tha shkurt Bajgora.

Çeku, i kërkuar nga INTERPOL, për vepën penale “Mashtrim”, sot para gjykatësit tha se në Kosovë ka ardhur për shërim dhe se nuk dëshiron të ekstradohet në Çeki.

“Unë në Kosovë kam ardhur qe tetë muaj, ndërsa unë tërë kohën kam bashkëpunuar me policë dhe me autoritete çeke dhe për këtë është njoftuar edhe policia. Theksoj edhe njëherë se nuk dëshiroj të ekstradohem në Çeki, pra dëshiroj që të qëndroj në Kosovë ku jam duke u mjekuar dhe gjithashtu më pëlqen të jetoj në Kosovë”, ka deklaruar ai.

Gazeta Sinjali gjatë ditës së djeshme kishte raportuar se Janda ishte dënuar në Çeki për vjedhjen e 1.5 milion eurove.