Kërcënimet e Muratit s’kryejnë punë, BSPK e vendosur për ta vazhduar grevën, paralajmërojnë padi

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka paralajmëruar padi ndaj ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, për arsye se ministri në fjalë ka përmendur dje ndaljen e pagave për grevistët për aq kohë sa marrin pjesë në grevë.

Kryetari i Këshillit Grevist të BSPK-së, Rrahman Jasharaj, tha se grupi i ekspertëve juridik të BSPK-së do të nis hartimin e një padie ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati.

“Askush nuk ka të drejtë asnjë cent t’ua ndal grevistëve. Ministri Murati me qëllim apo pa të po nxitë situatën ndaj grevistëve. Greva po vazhdon, greva do të duket edhe më e fuqishme nga 1 shtatori, nëse vazhdon të na injorojë Qeveria”, tha ai.

Në konferencën e jashtëzakonshme për medie, Jashari theksoi se greva nuk do ta ndalet deri në përmbushjen e kërkesave për paga shtesë nga 100 euro deri në miratimin e Ligjit të pagave.

Ai tha se shteti duhet të paguajë mësimdhënësit edhe gjatë kohës sa këta të fundit janë në grevë, pasi siç tha ai ata kanë të drejtën për veprime sindikale.

“SBAShK nuk ka para për të dhënë paga”, ka deklaruar ai.