Kostoja për Autostradën e Dukagjinit, jashtë çdo norme

Autostrada e Dukagjinit, e cila pritet t’i kushtojë buxhetit të vendit mbi 1 miliard e njëqind milionë euro, së fundmi ka shtuar reagimet në vend, për shkak të kostos enorme të saj dhe të implikimeve potenciale buxhetore që do t’i ketë ajo. Sipas zyrtarëve nga Qeveria, megjithëse janë të nevojshme investimet infrastrukturore, çmimi i ndërtimit të kësaj autostrade është mjaft i lartë, shkruan gazeta “Zëri”.

Megjithëse e sheh të nevojshme ndërtimin e autostradës, Shatri koston e saj po e vlerëson jashtë çdo norme. Sipas tij, kjo gjendje ka ardhur falë qeverive të kaluara, të cilët e kanë nënshkruar këtë kontratë.

“Në qoftë se e analizojmë koston, ata që e kanë bërë kontratën për punëkryerje e dinë arsyen pse e kanë bërë me atë kosto. Kjo ka ndodhur në qeveritë paraprake dhe ne jemi detyruar vetëm ta zbatojmë pjesën sipas viteve dhe dinamikës. Mendoj se duke krahasuar edhe koston e ndërtimit të këtyre rrugëve të kësaj kategorie të lë përshtypje se është një çmim i lartë, mbi çdo normë”, ka thënë Shatri.

Përgjegjësia, sipas tij, duhet të hidhet tek ekzekutivi paraprak.

“Përgjegjësia duhet të hidhet tek ata që e kanë lidhur kontratën. Zakonisht këto kontrata me operatorë të jashtëm po mbesin disi të bllokuara dhe nuk po lëshohen për opinion dhe ne po kemi problem për ta diskutuar kur nuk i kemi argumentet para vetes e po ashtu edhe kontratën se çfarë ka ndodhur dhe pse me atë çmim”, pohoi tutje ai.

Të nevojshme në këto raste ai e sheh auditimin e pasqyrave financiare nga Auditori i Përgjithshëm.

“Mirë do të ishte që Auditori i Përgjithshëm kur ta bëjë auditimin e pasqyrave financiare ta bëjë edhe auditimin e performancës së shpenzimeve. Kjo nënkupton vlerësimin se a është paguar tepër ose në një çmim real për një punë të caktuar. Duhet këtë punë ta bëjnë ekspertët”, ka thënë ndër të tjera Shatri.