Kërcënimi për largimin e serbëve nga institucionet”, Kurti i përgjigjet Vuçiqit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është përgjigjur presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq i cili tha se është kërkuar largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës.

Kurti tha se serbët në Kosovë i kanë të gjitha të drejtat. Ai u bëri thirrje atyre që mos t’i lëshojnë institucionet.

“Serbët e Kosovës i kanë të gjitha të drejtat. I bëj thirrje që të mos i braktisin institucionet, të qëndrojnë në institucionet e vendit tonë. Unë dëshiroj që të dialogoj me ta. Çfarëdo kërkese që kanë, mua më kanë adresë zyrtare. S’ka kryetar komune që nuk e kam takuar”, tha ai.

Kurti ka folur edhe rreth mundësinë së mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në vendin tonë. Thotë se lidhur me këtë çështje nuk është arritur marrëveshje në mes të qeverive të të dy shteteve.

“Në të gjitha bisedimet të cilat janë zhvilluar qoftë në Bruksel qoftë nëpërmjet faktorëve ndërkombëtar të BE’së apo Quint’it që ka ndërmjetësuar unë kam qenë i përkushtuar për marrëveshje, kam qenë konstruktiv në qasje dhe kam qenë kreativ me ide. “Në rastin e fundit të zgjedhjeve të paralajmëruara të Serbisë për datën 3 prill ne kemi kërkuar që të ketë një marrëveshje paraprake në bazë të së cilës do të mund të mbaheshin ato zgjedhje edhe në Republikën e Kosovës. Unë e kuptoj se ka qytetarë të Kosovës që e kanë edhe nënshtetësinë e Serbisë, duan të votojnë në zgjedhjet e Serbisë mirëpo kjo është e mundshme pasi që të kemi një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë”, shtoi ai në një intervistë për RTK-në.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe takimit me amabasadorët e QUINT-it në Serbi, i është drejtuar qytetarëve të Serbisë. Ai ka thënë se përfaqësuesit e serbëve nga Kosova e kanë befasuar me kërkesa radikale, duke thënë se “disa janë të gatshëm për konflikt, e disa janë gati të largohen”.

Presidenti serb deklaroi se disa janë të gatshëm për konflikt, e disa janë gati të largohen.

“Unë do të qëndroj me ta edhe nëse nuk më votojnë. Serbët nga Kosova pothuajse unanimisht kërkuan jo vetëm daljen nga të gjitha institucionet, por edhe largimin e 435 punonjësve të policisë. Unë i kuptoj për shkak të terrorit që po kalojnë. I pyeta se çfarë do të bënim pastaj. Ne do të marrim barrën financiare, por kam frikë se mund të hyjmë në një rreth vicioz lufte”, tha Vuçiq.