Kërkesat e njësive elitare të Policisë së Kosovës, Qeveria konfirmon takimin e Kurtit me ta këtë javë

Ani pse ende nuk është caktuar ndonjë datë e saktë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti këtë javë do të pres në takim përfaqësues të dy njësive elitare të Policisë së Kosovës të cilët edhe protestuan dy javë më parë para objektit të Qeverisë.

Takimi mes tyre është konfirmuar tani për Gazetën Online Reporteri.net edhe nga zëdhënësi i Qeversë, Përparim Kryeziu, i cili sa i përket datës tha se është vetëm çështje e agjendës së Kryeministrit.

“Takimi është paraparë për këtë javë dhe këtë javë do të mbahet. Kryeministri tashmë ka konfirmuar vullnetin dhe gatishmërinë e tij. Tani është vetëm çështje e agjendës, për çka do të njoftoheni me kohë”, tha Kryeziu.

Lidhur me takimin, javën e kaluar foli edhe vetë Kryeministri Kurti i cili tha se do të shohin se si do të veprojnë më tutje.

Të mërkurën e 1 nëntorit, pjesëtarët e Njësitit Special Intervenues, njësiti më elitar i Policisë së Kosovës, dhe ata të Njësitit për trajtimin e mjeteve eksplozive protestuan para ndërtesës së Qeverisë të Kosovës, duke kërkuar kështu ndryshim të kategorizimit të vendeve të punës dhe shtesa më të mëdha të rrezikshmërisë.

Ata kanë kërkuar nga kryeministri Kurti që të reflektojë dhe të takohen për të diskutuar për realizimin e kërkesave të tyre.

Këto dy njësite elitare të Policisë thanë se nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesave, teksa kërkuan që të mos luhet me dinjitetin e tyre.

“Nuk do të zmbrapsemi deri në realizimin e tyre. Ftojmë kryeministrin dhe Qeverinë të ndërmarrin hapa konkretë në realizimin e tyre. Ju i nderuar kryeministër i dini shumë mirë rreziqet dhe kërcënimet që operatorët e këtyre njësive i bartin gjatë gjithë kohës, jo vetëm gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, por edhe në jetën private. Prandaj mos luani me dinjitetin tonë, me jetën e familjeve tona. Ne kemi dëshmuar vetën në shumë raste të kaluar dhe së fundmi në neutralizimin e grupit terrorist më 24 shtator. Kërkojmë që propozimin e dhënë për shtesat e rrezikshmërisë ta rishikoni dhe të pranoni kërkesat tona dhe presim që së shpejti të takohemi dhe t’i zgjidhim së bashku.

Kërkesat tona janë: Kategorizimin si njësi të veçanta dhe përfshirja në listën e ekspertëve dhe Rrezikshmëria të caktohet në 50 përqind të pagës bazë dhe shtesa për kushte specifike të punës”, u shpreh përfaqësuesi i tyre.