Kërkoi një muaj kohë, dëshmitari i 29-të në rastin Thaçi dhe të tjerët do të vazhdojnë dëshminë më 16 tetor

Pas disa pjesëve të seancave të mbyllura dhe pushimeve, trupi gjykues ka vendosur që dëshmitari i mbrojtur i Prokurorisë, i 29-ti me radhë, të mos e vazhdojë sot dëshminë, por të hënën (16 tetor).

Pas këtij vendimi të cilin e bëri të ditur kryetari i trupit gjykues Charles Smith III, dëshmitari i mbrojtur deklaroi se i duhet një muaj kohë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“E kuptoj, edhe ju duhet ta kuptoni që mua më duhet një muaj ditë kohë”, tha dëshmitari i 29-të.

Por, kjo kërkesë u kundërshtua nga trupi gjykues. Ndërsa, dëshmitari tha se nuk ka zgjidhje tjetër përveç se të shkojë në burg.

“Ju i dini masat e juaja edhe vazhdone procesin edhe drejtomni ato, ju thashë edhe më herët, në burg edhe s’ka tjetër, gjendja ime nuk është e mirë”, tha dëshmitari i mbrojtur.

Paraprakisht, kryetari i trupit gjykues tha se dëshmitari duhet të mbetet në juridiksionin e kësaj gjykate, në mënyrë që të jetë në dispozicion për të kontaktuar me avokatin mbrojtës.

“Dëshmitari mbetet në juridiksionin e kësaj gjykate në mënyrë që të jetë në dispozicion për të kontaktuar me avokatin mbrojtës dhe në mënyre që të ketë ndihmë psikiatrike dhe të sigurisë nëse lind nevoja”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Kujtojmë se, me fillimin e seancës avokati mbështetës ka kërkuar që të bëjë një deklaratë në sallën e gjyqit, e cila vazhdoi në seancë private.