Këshilli Prokurorial paralajmëron Qeverinë: Nëse s’ndalen deklaratat linçuese, do të ndërpritet bashkëpunimi

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka shprehur shqetësimet për deklaratat e zyrtarëve qeveritare, përfshirë zëvendësministrin e Drejtësisë, Blerim Sallahu, ndaj prokurorëve.

Të premten është raportuar se ish-prokurori special, Sylë Hoxha me ish-drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës, Driton Gashi, kanë përfshirë dy agjentë si dëshmitarë për të dhënë dëshmi të rrejshme në rastin “Syri i Popullit” e se dëshmitë e tyre u përdorën më vonë nga ish-presidenti Hashim Thaçi për ta akuzuar kryeministrin aktual Albin Kurti dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca për lidhje me terrorizëm. Ndaj raportimeve reaguan ministrja Albulena Haxhiu që kërkoi që Hoxha të dalë para drejtësisë, e zëvendësministri Sallahu ka thënë se “po dëshmohet që vetë prokurorët janë të involvuar në veprime kriminale”.

Këto deklarata të tij, KPK-ja i ka cilësuar si linçuese, tendencioze, paragjykuese dhe me qëllim të dëmtimit të sistemit prokurorial.

“Nëse pushteti ekzekutiv nuk distancohet nga deklaratat e tilla do të ndërpritet çfarëdo komunikimi dhe bashkëpunimi ndër-institucional”, thuhet në reagim.

Ndërkaq, Prokurori i Shtetit ka thënë se do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore lidhur me pretendimet e paraqitura sot në media.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës si organ i pavarur kushtetues nuk ka lejuar dhe nuk do të lejojë asnjë interferim nga askush për çfarëdo interesi personal, grupor apo politik të cenojë integritetin e sistemit prokurorial”, përfundon reagimi i KPK-së.