Këshilltari i Blinkenit kërkon nga Kurti shtyrje të afatit për targat: Të mos ketë konfiskime e gjoba

Këshilltari në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka njoftuar se në bisedën e së enjtes me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kanë folur lidhur me situatën e krijuar sa i përket vendimit për targat.

Ndryshe nga kryeministri Kurti që nuk e ka përmendur se kjo çështje u diskutua në bisedën me Chollet, këshilltari special në DASH, tha se ka kërkuar nga Kurti shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat ilegale.

“Bisedova sot me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, lidhur me rëndësinë e shmangies së tensioneve dhe shtyrjen e zbatimit të rregullave të reja të targave pa konfiskime apo gjoba”, ka shkruar Chollet në Twitter.

Ai shtoi se u diskutua edhe për partneritetin e të dyja vendeve dhe synimet e përbashkëta për avancimin e integrimeve evropiane dhe euroatlantike të Kosovës.

Kurti njoftoi se në bisedën e tij me Cholletin, u fol për raportin e “World Justice Project” për vitin 2022, ku Kosova u rendit e para nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe e dyta në nivel global për përmirësim në fushën e sundimit të ligjit.

/Koha.net