Këshilltari i Thaçit i përgjigjet letrës së Kurtit me nene të Kushtetutës, sqaron pozicionin kushtetues të presidentit

Këshilltari politik i presidentit Thaçi, Adil Behramaj, i është kundërpërgjigjur letrës së sotme të kryeministrit në dorëheqje drejtuar presidentit Thaçi, ku tentonte të zbehte rolin e tij kushtetues.

Behramaj ka thënë se pretendimet e Kurtit nuk përkojnë fare me realitetin dhe rrethanat e krijuara kushtetuese, transmeton lajmi.net.

Ai ka thënë se sipas Kushtetutës, presidenti ka kompetencë që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet që mundësojnë funksionimin kushtetues të institucioneve, në çfarëdo rrethane kushtetuese që paraqitet.

Ndërsa, për praktikat kushtetuese që janë përmendur në letrën e Kurtit, përkatësisht ajo e vitit 2010 dhe 2017, Behramaj ka thënë se ato nuk janë aspak relevante për situatën aktuale dhe rrethanat e krijuara. Sipas tij, partitë politike parlamentare në vitin 2010 dhe 2017 kishin shprehur qartë vullnetin e tyre për të mbajtur zgjedhje të parakohshme, sikundër që në atë kohë kanë qenë të ndryshme edhe rrethanat faktike.

“Ajo çfarë pretendon kryeministri në dorëheqje në letrën e sotme, ku herë flet si kryeministër e herë si kryetar partie, nuk përkon fare me realitetin dhe rrethanat e krijuara kushtetuese. Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenit 4 (3) dhe nenit 84 (2), presidenti është garantues i funksionimit demokratik dhe kushtetues të institucioneve. Kjo nënkupton që presidenti, sipas kësaj Kushtetute, ka kompetencë që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet që mundësojnë funksionimin kushtetues të institucioneve, në çfarëdo rrethane kushtetuese që paraqitet.

Çdo veprim i presidentit është në funksion të interesit shtetëror. Konsultimet që i ka zhvilluar me partitë politike kanë qenë të domosdoshme për ta vlerësuar vullnetin e partive politike për gjendjen e krijuar, në kuptim të shkronjës dhe frymës së Kushtetutës. Presidenti i ka zhvilluar këto takime me synimin që vullnetin politik që shprehin partitë politike në Kuvendin e Republikës së Kosovës ta materializojë duke e integruar në procedurat kushtetuese, që kanë për qëllim funksionalizimin e institucioneve kushtetuese, në këtë rast të Qeverisë së Kosovës.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës e përcakton qartë që presidenti është aktor kushtetues aktiv kur mungon Qeveria, duke i përcaktuar të gjithë hapat e nevojshëm që duhet ndërmarrë.

Synimi i presidentit është që vullnetin politik të shprehur nga partitë politike ta integrojë brenda procedurave kushtetuese, me qëllim që institucionet e Republikës së Kosovës, përkatësisht Qeveria e Kosovës të funksionojë në mënyrë kushtetuese. Pra, si Qeveri e zgjedhur nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, jo si Qeveri e shkarkuar sikurse tash.

Praktikat kushtetuese që janë përmendur në letrën e Kurtit, përkatësisht ajo e vitit 2010 dhe 2017, nuk janë aspak relevante për situatën aktuale dhe rrethanat e krijuara. Partitë politike parlamentare në vitin 2010 dhe 2017 kanë shprehur qartë vullnetin e tyre për të mbajtur zgjedhje të parakohshme, sikundër që në atë kohë kanë qenë të ndryshme edhe rrethanat faktike. Në rastin konkret, partitë politike parlamentare kanë shprehur qëndrimin e tyre të qartë për nevojën e krijimit të Qeverisë së re. Kjo qasje nënkupton rolin e presidentit si përfaqësues i unitetit politik dhe balancues, prandaj më shumë se asnjëherë më parë, në rrethanat që jemi presidentit i takon që ta vlerësojë hollësisht shmangien ose jo të zgjedhjeve.

Në lidhje me nenin 82 (2) çdo gjë është e qartë, sepse vetëm me një lexim të thjeshtë kuptohet se ajo dispozitë zbatohet nga presidenti gjithnjë duke i vlerësuar rrethanat faktike dhe kushtetuese, mbi bazën e rolit që ka. Nuk është qëllimi i nenit 82 (2) që Kuvendi të shpërndahet domosdoshmërisht pas votimit të Mocionit të Mosbesimit ndaj Qeverisë. Kjo dispozitë e Kushtetutës zbatohet gjithnjë duke marrë parasysh vullnetin e shumicës së përfaqësuesve të popullit të zgjedhur në Kuvend. Pra, ai që vlerëson zbatimin e nenit 82 (2) është vetëm presidenti, duke pasur parasysh gjithnjë rolin e tij të përfaqësimit të unitetit kushtetues e politik të popullit, i shprehur edhe në përbërjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si rezultat i zgjedhjeve të mbajtura para disa muajve.

Vullneti i partive politike është që të mos mbahen zgjedhjet, por të kemi sa më shpejtë Qeveri të re dhe dispozitat kushtetuese e mundësojnë një gjë të tillë!”, ka shkruar Behramaj.