Policia zbulon hajnin që kreu vjedhje të rëndë në një shtëpi në Pejë, arrestohet dhe ndalohet për 48 orë

Vjedhjet e shumta nëpër shtëpi e biznese të ndryshme nuk po kanë të ndalur dhe ajo çka e bën edhe më shqetësues këtë fenomen është moskapja e personave të dyshuar, të cilët arrijnë t’iu ikin prangave të Policisë. Të dyshuarit që kryejnë vjedhje shpesh dalin të jenë recidivistë të veprave të kësaj natyre ndaj të cilëve nuk merren masat e duhura të sigurisë, raporton Gazeta Sinjali.

Për një rast të vjedhjes së rëndë që ka ndodhur në një shtëpi në rrugën “Gucia”, në Pejë, ku një person ka hyrë në një shtëpi dhe ka vjedhur mjete të punës, e më pas është larguar pa lënë gjurmë. Por pas denoncimit të rastit, Policia ka arritur ta identifikojë hajnin që dyshohet për këtë rast.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për A.R., 19-vjeçar, i cili po dyshohet për veprën penale “vjedhje e rëndë”.

Pasi shijoi lirinë nga arratia për më shumë se 1 javë, gjatë ditës së djeshme ai është arrestuar dhe më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim. Me rastin e kontrollit policor, te i njëjti janë gjetur dhe konfiskuar gjësendet e vjedhura.

I dyshuari ka dhënë deklaratë para hetuesve policorë dhe më pas Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e tij në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor.