Këshilltari i Thaçit: Sveçla ka më shumë raste penale sesa hyrje-dalje nga Kosova

Këshilltari politik i presidentit Thaçi, Adil Behramaj, i është kundërpërgjigjur menjëherë u.d. së Ministrit të Brendshëm.

Behramaj madje edhe është tallur me Sveçlen, duke thënë që në prerjen dhe heqjen e rrethojave e ka gjetur veten, kurse në këto tjerat si një kadet i papërvojë policor po duket.

Ai ka shprehur bindjen se sikur të kishim mundësi t’i shihnim databazat e prokurorisë, Sveçla më shumë ka raste penale sesa hyrje-dalje nga Republika e Kosovës.

“Ushtrues Detyre është dhe mendon që presidenti i jep llogari kah shkon e çfarë bën, po me qenë përnjëmend ministër ky?! Në prerjen dhe heqjen e rrethojave e ka gjetur veten. Në këto tjerat po ma çon mallin e një kadeti të papërvojë policor.

Por, kur Sveçla dhe soji i tyre po flasin tash për respektimin e ligjeve, të cilët si cuba politikë me precedentë penalë gati 20 vjet janë fshehur skutave dhe nuk i janë përgjigjur asnjëherë drejtësisë, epilogu këtu nuk ka fare moral politik.

Megjithatë, fatkeqësisht janë duke e tejkaluar çdo kufi të demokracisë dhe të ekzaltuar nga pushteti po mendojnë që autoritetit të qulltë të një Ushtruesi Detyre duhet t’i nënshtrohen edhe presidenti i shtetit dhe të zgjedhurit e popullit.

Pra, nuk po ju mjafton vetëm shkelja e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe shkelja e të drejtave të njeriut, por tani po kërkojnë edhe më shumë!

Sikur të kishim mundësi t’i shihnim databazat e prokurorisë, jam i bindur që Sveçla ka më shumë raste penale sesa hyrje-dalje nga Republika e Kosovës!”, ka shkruar Behramaj.