Kështu duket imami pas sulmit nga tre të dyshuarit ekstremistë

Gazeta Insajderi nga burime policore ka siguruar pamjet e para se si është gjendja e imamit Zeqir Berisha pas sulmit brutal që i është bërë në kohën e namazit të jacisë nga tre vëllezërit Murturi në xhaminë e fshatit Lupç. Pamjet nuk këshillohet të shikohen nga persona nën moshën 18 vjeçare.

Në fotografin e siguruar nga Gazeta Insajderi brenda burimeve policore, imami shihet në gjendje të rëndë dhe i fashuar në gjithë pjesën e kokës dhe në dorën e majtë.

“Personi i lënduar Z.B. mashkull, është dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që njësitet policore të Podujevës menjëherë kanë filluar ndërmarrjen e verimeve operativo-hetimore dhe kanë arritë të arrestojnë tre persona të dyshuar. Personat e arrestuar: 1. B.M, mashkull 27vjeç 2.A.M, mashkull 28vjeç dhe 3. Sh.M mashkull 25vjeç,”, thuhet në përgjigjien e zëdhënëses së policisë, Flora Ahmeti për Insajderin.

Ndaj tre të dyshuarve është iniciuar rasti vrasje në tentativë.

Shkaku që kishte përfunduar me rrahje brutale siç mëson Insajderi ishte se tre vëllezërit ishin munduar të ndërhyjnë në mënyrën e organizimit të jetës fetare brenda xhamisë të cilën imami e drejton, pasi që siç mëson Insajderi këta tre persona nga organet e rendit konsiderohen si ekstremistë fetarë.

Personat të cilët e kanë sulmuar imanin, tashmë janë intervistuar nga Policia, por siç mëson Insajderi asnjëri nga ta nuk e ka pranuar sulmin e bërë mbrëmë.

Burime të Insajderit kanë bërë me dije se imami ndodhet në QKUK e është jashtë rrezikut për jetë.

“Imami aktualisht është i shtrirë në QKUK në gjendje jashtë rrezikut për jetë”, tha ky burim për Insajderin.