Banka Qendrore e Kosovës blen veturë zyrtare mbi 69 mijë euro

Shpenzimet për vetura luksoze, dreka e udhëtime jashtë vendit nga ana e institucioneve të Kosovës vazhdojnë të jenë të larta.

Së fundmi, Banka Qendrore e Kosovës ka blerë veturë zyrtarë për nevojat e saj.

Mirëpo, kjo veturë i ka kushtuar hiq më pak se 69 mijë e 200 euro, transmeton Indeksonline.

Të paktën, kështu thuhet në njoftimin për kontratë të publikuar në faqen e BQK-së tek tenderët.

Në këtë kontratë me titull “Furnizim me veturë zyrtare për nevoja të BQK-së-Ritenderim”, bëhet e ditur se është përdorur procedurë e hapur, transmeton Indeksonline.

Për këtë tender kanë aplikuar dy operatorë ekonomik, ku emri i tenderuesit fitues është “Reforma” Sh.p.K, me adresë në Obiliq.

Ky tender ishte hapur disa muaj më parë, mirëpo ishte anuluar në mungesë të operatorëve të përgjegjshëm me 4 prill.

Pastaj, me 16 prill kishte dalë në ritenderim, ndërsa me 14 ishte dhënë njoftimi për zgjatjen e afateve.