“Këto janë spekulime”, avokati i Thaçit kundërshton pyetjen e prokurores

Dëshmitari i tetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), pasi ka folur për një qendër që ai pretendon se janë ndaluar njerëzit në Bajgorë në gjykimin kundër ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ka përmendur një person që sipas tij është marrë në pyetje brenda objektit.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorisë, dëshmitari i mbrojtur deklaroi se kishte dëgjuar se “personit të koduar me numrin 1 i ishin bërë pyetje me zë të lartë”.

“Ka pasur pyetje të parashtruara me zë më të lartë sesa që është normale që të parashtrohet një pyetje. Zëri ka qenë shumë i lartë, shumë detaje nuk kemi arritur t’i dëgjojmë asnjëherë, me dëgju apo me kuptu nuk kam arrit. Fjala ‘pse’ ka qenë shumë e shprehur”, ka thënë dëshmitari.

Ndërsa prokurorja Silvia D’Ascoli e ka pyetur atë se çfarë mendon se kishte ndodhur në atë dhomë, kjo pyetje është kundërshtuar nga avokati kryesor i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe.

“Këto janë spekulime, po kërkohet se çfarë mendonte kur në fakt mund të dëshmohet vetëm çfarë ka dëgjuar”, ka deklaruar Kehoe.

Tutje ajo e ka pyetur dëshmitarin se, “a mund të dëgjonit ju se çfarë po ndodhte brenda dhomës?”.

Nga dëshmitari ishte thënë se “në bazë të kuptimit, që kam arritur ta kuptoj ka qenë intervistë, për arsye se është kërkuar llogari ndaj një personi të caktuar”.

Prokurorja tutje pyetur se a ka diçka tjetër që ju kujtohet lidhur me atë rast.

“Për momentin nuk mund t’i cek saktë”.

I pyetur se çfarë ka ndodhur më pas, dëshmitari ka pohuar se pas 15 minuta ose gjysmë ore ku ka qëndruar personi 1, janë larguar nga objekti, janë larguar komplet, me makinë, dhe ne kemi vazhduar normal derisa e kemi pasur të caktuar.

Pas kësaj, me kërkesë të ZPS-së seanca ka vazhduar e mbyllur për publikun.