Molliqaj e paralajmëron Kurtin: Do të përballesh me aksione edhe më të ashpra se të Vetëvendosjes dikur

Udhëheqësi i PSD-së, Dardan Molliqaj është tejet i drejtpërdrejt në konfrontim me figura të ndryshme politike e sidomos me ish-bashkëpartiakët e tij të Vetëvendosjes.

Molliqaj në një intervistë për lajmi.net ka folur gjerë e gjatë për qeverinë në ardhje që mendohet se do të jetë ajo e Kurtit, duke thënë se demokracia është në rrezik. Ai i ka paraqitur si rreziqe afatshkurtër që është demokracia, afatmesëm është ekonomia dhe afatgjatë marrëdhënien e jashtme, nëse Kurti vie në pushtet.

“Është e nevojshme që të jemi vigjilent, të reagojmë dhe të shpjegojmë sa më shumë që është e mundshme. Aktualisht jemi të vetmit ata të cilët kanë shpjegimin e duhur edhe politik edhe teorik për qeverisjen që po vjen. Problem të brendshëm afatshkurtër e shohim çështjen e demokracisë, pasi siç e keni parë edhe slogani i tyre është kërkesë që t’i kenë të gjitha. Praktikisht tendenca është që të shndërrohet në parti shtet. Nuk është fjala me e marrë qeverisjen, ideja është me e marrë shtetin në kuptimin e asaj që prej presidencës, te kryeministri, kryetari i Kuvendit, të shumica në Kuvend e deri te secili agjencion, deri të secila ndërmarrje publike do të jetë në duar të një partie që praktikisht është në duart e një individi. Kjo ka rrezikun demokracisë shumë të madh, shumë të lartë”, ka thënë Molliqaj.