“KFOR’i e di”, Kastrati tregon ku mund t’i ketë çuar Serbia policët e rrëmbyer

Ish-komandanti i FSK’së, Kadri Kastrati, ka thënë se në bazë të eksperiencës së tij, policët e kidnapuar në Leposaviq nga forcat serbe, mund të jenë dërguar në burgun e Rashkës, raporton Express.

Sipas Kastratit, KFOR’it ka informacione se ku ndodhen ata dhe se do të KFOR’i do të duhej të komunikonte me Kryeministrin Albin Kurti apo Ministrin Xhelal Sveçla dhe që nëpërmjet tyre të njoftoheshin familjarët e policëve për vendndodhjen.

“Ai absolutisht duhet të ketë informacione. Unë nuk besoj që ai nuk i ka informacione se ku gjenden tre policët. KFOR’i do të duhet që të ketë komunikim me Kryeministrin apo Ministrin e Punëve të Brendshme dhe të tregojë nëpërmjet tij familjarëve se ku gjenden policët e kidnapuar.

Unë mund të supozoj bazuar në eksperiencën time se ata janë në Rashkë, ata nuk i kanë çu në Beograd…Ata mbahen aty në burgun e Rashkës, merren në pyetje prej organeve të inteligjencës dhe të sigurisë së Serbisë”, ka thënë Kastrati në “Frontal” të T7.

Kastrati ka thënë se me këto rrëmbime, Serbia është munduar të revanshohet për arrestimin e Milun Milenkovic- Llune.
“Serbia nëpërmjet kidnapimit të këtyre zyrtarëve policorë është munduar të revanshohet. Ata mund të thonë çka donë, por është munduar të revanshohet për arrestimin e këtyre kriminelëve”, ka deklaruar Kastrati.