Kica-Xhelili: Nëse Prokuroria e ka seriozisht, ndjekja penale të nis nga kryeministri

Pasi gazetari Lirim Mehmtaj bëri të ditur se ka marrë ftesë për t’u paraqitur në Prokurori për veprën “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”, anëtarja e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka thënë se nëse një qasje e tillë është serioze, atëherë kjo duhet të fillojë nga “ndjekja penale nga kryeministri, te ministrat e duke përjashtuar pak (e hiç) deputetë të pushtetit”.

“Nuk më takon të përfshihem në kallëzime, e as hetime penale ku nuk jam palë. Njëlloj nuk më lejohet ta komentoj rastin e Lirim Mehmetaj specifikisht. Por, një gjë e di: Nëse prokuroria e ka seriozisht ndjekjen penale të atyre që bëjnë thirrje shfrenuese e nxitje të përçarjes e mosdurimit, duhen filluar ndjekjen penale nga kryeministri, te ministrat e duke përjashtuar pak (e hiç) deputetë të pushtetit.” – shkroi ajo në Facebook.

Kica-Xhelili ka kujtuar “thirrjet propaganduese e linçuese” që sipas saj vijnë “nga foltoret e Kuvendit e te videot propagandistike”.

“Thirrjet propaganduese e linçuese të tyre i keni që nga foltoret e Kuvendit e te videot propagandistike. Bujrum – të gjitha i keni në publik. Po iu përcjellim sa të guximshëm jeni e sa të njëmendtë e keni betejën e luftimit të nxitjes së përçarjes e mosdurimit.” – tha ajo.