Kina dërgon në hapësirë ​​modulin për banim

Kina lançoi sot modulin e parë kryesor të përhershëm në stacionin e saj hapësinor, i cili do të jetë në gjendje të strehojë astronautë në planin afatgjatë, e që është suksesi i fundit i programit hapësinor kinez, transmeton Anadolu Agency (AA).

Moduli Tianhe ose “Harmonia Qiellore”, u lançua me raketahedhësen Long Marsh 5B nga qendra e lançimit të hapësirës Wenchang në provincën jugore Hainan.

Programi hapësinor është një burim i krenarisë së jashtëzakonshme kombëtare ndërkaq kryeministri kinez Li Keqiang dhe udhëheqës të tjerë të lartë civilë dhe ushtarakë ndoqën lançimin drejtpërdrejt nga qendra e kontrollit në Pekin. Një mesazh urimi nga udhëheqësi i shtetit dhe udhëheqësi i Partisë Komuniste në pushtet Xi Jinping u lexua gjithashtu për stafin në qendrën e lançimit Wenchang.

Moduli themelor Tiahne është pjesë e stacionit hapësinor të përhershëm, në të cilin astronautët do të jenë në gjendje të jetojnë deri në gjashtë muaj.

Ky modul do të jetë qendra e menaxhimit dhe kontrollit të stacionit hapësinor dhe hapësira kryesore e jetesës së ekuipazhit dhe do të mbështesë disa eksperimente shkencore dhe teknologjike.

Lançimi i Tianhe është i pari nga 11 misionet e domosdoshme për të përfunduar stacionin hapësinor, i cili do të fluturojë rreth Tokës në një lartësi prej 340 deri në 450 kilometra.