Kjo është shuma marramendëse që paguan qytetarët e Kosovës për gabimet në trafik

Sipas PK-së, vitin e kaluar janë shqiptuar mbi 445 mijë tiketa të trafikut.

Mbi 1 mijë e 200 tiketa shqiptoi policia e Kosovës në 24 orët e fundit.

E si pasojë e mosrespektimit të shenjave të komunikacionit, 17 persona kërkuan ndihmë mjekësore.

Ndërkohë 37 aksidente të tjera, përfunduan me dëme materiale.
Ndërkaq, vetëm në javën e fundit, Policia ka shqiptuar afër 3 mijë tiketa të trafikut.

E numër i madh i tiketave, ishin shqiptuar edhe gjatë tërë vitit të kaluar.

Sipas një përgjigje të Policisë së Kosovës, vetëm gjatë 2019-ës, janë shqiptuar afër gjysmë milioni tiketa.

Ndërkohë, më së shumti kosovarët në trafik, u gjobiten si pasojë e mosrespektimit të shpejtësisë së kufizuar.

Policia e Kosovës

Nga numri i përgjithshëm i tiketave të shqiptuara për vitin 2019, prej 445,729, llojet më të shpeshta të kundërvajtjeve kanë qenë:

• 40.9 % mos respektimi i shpejtësisë së kufizuar,

• 14.8 % parkim i parregullt,

• 9.7 % rripi i sigurisë,

• 5.4 % mos respektim i shenjave të trafikut, dhe

• kundërvajtjet tjera me përqindje më të vogël.

Edhe shuma që shoferet paguan për këto kundërvajtje, ishte goxha e madhe.

Vetëm brenda vitit të kaluar, sipas një përgjigje nga Ministria e Financave dhe Transfereve, ngasësit paguan mbi 10 milion e 500 mijë euro.

Ministria e Financave dhe Transfereve
Sipas të dhënave nga Sistemi i Integruar i Menaxhimit të Financave të Kosovës (SIMFK), në vitin 2019 shuma e të hyrave nga gjobat në trafik kanë qenë gjithsej 10,520,651.83 Euro.

Po ashtu, në këtë përgjigje, bëhet e ditur që sipas Ligjit të Financave te Pushtetit Lokal neni 18, gjobat e shqiptuara për shkeljet në trafik janë të hyra vetanake të komunave.

Ndërsa alokimi i këtyre mjeteve është bërë për çdo muaj nga Policia e Kosovës në komunat përkatëse.