Klinaku: Borell po e keqinterpreton Kushtetutën tonë dhe po e dezinformon opinionin

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku ka deklaruar se Borell po e keqinterpreton Kushtetutën tonë dhe po e dezinformon opinionin, shkruan Fokusi.info.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell i paska shkruar sot Dhomave të Specializuara të Hagës dhe u paska kërkuar që ta hedhin poshtë kërkesën e Presidentit të Kosovës për vazhdim të mandatit të këtyre dhomave, shkruan Klinaku.

Postimi i plotë:

Borell po e keqinterpreton Kushtetutën tonë dhe po e dezinformon opinionin

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell i paska shkruar sot Dhomave të Specializuara të Hagës dhe u paska kërkuar që ta hedhin poshtë kërkesën e Presidentit të Kosovës për vazhdim të mandatit të këtyre dhomave.

Në letrën e tij Borell (besoj me vetëdije dhe me qëllim) i bën disa gabime:

1) Dhomat e Specializuara madje edhe Gjykata Kushtetuese pranë Dhomave të Specializuar nuk e kanë nën juridiksion MANDATIN e këtyre dhomave dhe te vetvetës. Kjo do të përbënte konflikt të pastër interesi. Pra adresimi i letrës është krejt i gabuar! Vetëm Gjykata Kushtetuese e Kosovës mund ta interpretojë Kushtetutën e Kosovës, pra edhe amandamentin 24, nenin 162, pikat 13 dhe 14 që kanë të bëjnë me mandatin e Dhomave të Specializuara.

2) Duke e keqinterpretuar Kushtetutën e Kosovës Borell në letrën e tij shkruan se pikërisht neni 162 thotë se mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar do të vazhdojë deri në njoftimin për përfundimin e mandatit e që bëhet sipas ligjit e në konsultim me Qeverinë. Ndërsa e vërteta është se pika 13 e nenit 162 të amandamentit 24 thotë:
13. Mandati i Dhomave të specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të specializuar do të zgjasë për një periudhë pesëvjeçare (5), përveç nëse njoftimi i përfundimit të mandatit në pajtim me Ligjin No. 04/L-274 bëhet më herët.
Pra në Ligjin No. 04/L-274 mund të thirret Kosova vetëm nëse vendos për një shkurtim të mandatit, pra siç shkruan Kushtetuta “përveç nëse njoftimi i përfundimit të mandatit në pajtim me Ligjin No. 04/L-274 bëhet më herët.”

3) Kushtetuta e Kosovës, përkatësisht amandamentet për Dhoma të Specializuara sqarojnë proceduar se si mund t’i shkurtohet më herët se 5 vjet mandati këtyre dhomave, por asnjë shkronjë nuk e kanë se si mund t’i vazhdohet mandati pas 5 vjetëve.

Prandaj, arresitimi i Salih Mustafës, Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt dhe çdo veprim tjetër i kësaj gjykate është antikushtetues.