Klinaku: Çka nëse do të koordinoheshim me ndërkombëtarët?

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku vlerëson se të gjitha kritikat ndaj ngjarjeve në veri të Kosovës janë drejtuar në një pikë: moskoordinimi me ndërkombëtarët (këtu gjithmonë nënkuptohet SHBA-ja), shkruan Fokusi.info.

Sipas Klinakut, problemi ynë i vërtetë është orientimi i gabuar në zgjidhjen e kësaj problematike, pra tek përpjekjet e kota për ta shtrirë sovranitetin në veri, apo përpjekjet poashtu të kota për t’i integruar serbët në institucionet e Kosovës, në njërën anë, dhe, në anën tjetër, duke e heshtur padrejtësisht dhe në dëmin tonë problemin dhe interesin tonë real, kombëtar dhe shtetëror – Kosovën Lindore.

Postimi i plotë:

Çka nëse do të koordinoheshim me ndërkombëtarët?

Të gjitha kritikat ndaj ngjarjeve në veri të Kosovës janë drejtuar në një pikë: moskoordinimi me ndërkombëtarët (këtu gjithmonë nënkuptohet SHBA-ja).

Po çka do të ndodhte në të vërtetë nëse Qeveria e Kosovës do të koordinohej plotësisht me ndërkombëtarët, do t’i dëgjonte ata? Kjo besoj është shumë e qartë për të gjithë: Kosova do të duhej ta zbatonte asociacionin (çfarëdo qoftë ai) dhe konflikti në veri do ta rëndonte Kosovën edhe për disa dekada të tjera. A është kjo ajo që duan kritikët, apo vetëm kritikojnë sa për të thënë diçka.

Problemi në veri të Kosovës nuk qëndron te intervenimi apo te mosintervenimi. Nuk qëndron as te vetëm koordinimi apo te moskoordinimi! Problemi në veri madje as nuk është i ri e i vetëm i kësaj qeverie. Problemi ynë i vërtetë është orientimi i gabuar në zgjidhjen e kësaj problematike, pra tek përpjekjet e kota për ta shtrirë sovranitetin në veri, apo përpjekjet poashtu të kota për t’i integruar serbët në institucionet e Kosovës, në njërën anë, dhe, në anën tjetër, duke e heshtur padrejtësisht dhe në dëmin tonë problemin dhe interesin tonë real, kombëtar dhe shtetëror – Kosovën Lindore.