Klinaku: PseudoGjykata Speciale vazhdon shkeljen e të drejtave më elementare të njeriut, e Institucionet e Kosovës vazhdojnë të heshtin

Ushtruesi i detyrës i kreut të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku ka deklaruar se pseudoGjykata Speciale vazhdon shkeljen e të drejtave më elementare të njeriut, e Institucionet e Kosovës vazhdojnë të heshtin, shkruan Fokusi.info.

“Për të gjitha këto shkelje dhe padrejtësi që bëhen ndaj bashkëluftëtarëve tanë, Institucionet e Kosovës, por edhe Partitë Politike, vazhdojnë që të heshtin. TURP”, ka shkruar Klinaku.

Postimi i plotë:

REAGIM

PseudoGjykata Speciale vazhdon shkeljen e të drejtave më elementare të njeriut, e Institucionet e Kosovës vazhdojnë të heshtin!

Sot u bënë dy vite që nga paraburgosja e Jakup Krasniqit, e dy vite po bëhen edhe për krerët tjerë të ish UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, e nuk ka ende proces gjyqësor, ndërsa absurditeti i PseudoZyrës së Prokurorit të Specializuar është se ende po merret me hetime ndaj tyre;

Kanë kaluar dy vite që kur janë paraburgosur Salih Mustafa, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, e do të bëhen dy vite edhe për Pjetër Shalën, e ZPS, edhe pse për dikë ka përfunduar gjykimi i shkallës së parë, vazhdon ende që të merret me hetime;

Të gjithë bashkëluftëtarëve tanë në Hagë u janë shkelur vazhdimisht të drejtat dhe liritë e njeriut, qoftë me mbajtje në paraburgim, qoftë me maltretime të familjarëve të tyre me rastin e komunikimit me ta dhe vizitat ndaj tyre;

Hysni Gucatit i është përkeqësuar gjendja shëndetësore, e në mëngjesin e sotëm ai i është nënshtruar një operimi të dytë që ishte edhe i komplikuar për të. Edhe përkundër përkeqësimit të gjendjes së Hysni Gucatit, familjes së tij i është pamundësuar nga Gjykata Speciale që ta shohin atë;

Nasim Haradinaj nuk lejohet që ta vizitoj vëllain e tij Agronin, i cili po trajtohet në Gjermani për shkak të sëmundjes së rëndë dhe e ka gjendjen tepër të rënduar shëndetësore;

Për të gjitha këto shkelje dhe padrejtësi që bëhen ndaj bashkëluftëtarëve tanë, Institucionet e Kosovës, por edhe Partitë Politike, vazhdojnë që të heshtin. TURP

Prishtinë                                            OVL e UÇK-së
04.11.2022                   U.D. i Kryetarit, Faton Klinaku