KMDLNJ-ja kërkon hetime për vdekjen e të paraburgosurit në Pejë

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka reaguar pas rastit tragjik në Qendrën e paraburgimit në Pejë, ku është gjetur pa shenja jete i paraburgosuri B.GJ.

Sipas informatave të KMDLNj –së, më 28 gusht 2019 në orë 7.15 në Qendrën e paraburgimit, në Pejë, është gjetur pa shenja jete i paraburgosuri B.GJ. i lindur me 26.02.1967 në Klinë, i cili në këtë qendër ka ardhur më 14.06. 2019 me ç’rast i është hapur dosja mjekësore.

Pas ardhjes në QP në Pejë, ai nuk ka kërkuar asnjëherë ndihmën e mjekut siç s’ ka përdorur asnjë lloj terapie. Në momentin e pranimit i maten të gjithë parametrat vitalë, të cilat dalin të jenë brenda normave. Gjatë anamnezës i paraburgosuri, tashti i ndjeri B.GJ. nuk jep të dhëna të ketë qenë i hospitalizuar më herët apo se ishte operuar.

KMDLNJ-ja kërkon hetime, lidhur rastin për të zbuluar nëse ka arsye të tjera rrethanore që kanë ndikuar në vetëvrasjen e të paraburgosurit.

Sipas raporteve të KMDLNj-së, i paraburgosuri nuk ka treguar asnjë indikacion se ka prirje për vetëvrasje andaj në rastin konkret nuk janë zbatuar masat e kontrollit, kujdesit dhe mbikëqyrjes së shtuar siç veprohet në rastet e tilla.

Pasi i paraburgosuri B.Gj. ka qenë në pritje të ekstradimit në SHBA, i dyshuar për një vrasje në Miçigen, ndoshta ky ekstradim mund edhe të jetë arsye që i paraburgosuri të vetëvritet dhe për këtë arsye kërkon hetim të shpejtë dhe caktim të përgjegjësisë eventuale nëse për këtë sigurohen prova, thekson KMDLNJ-ja.