Kollçaku: VV-ja s’ka qenë pengesë për formimin e qeverisë, nëse s’arrihet marrëveshja mbesim në opozitë

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se mbeten edhe pak ditë që të votohet qeveria në krye me Kurtin, dhe shprehu optimizëm se do të arrihet marrëveshja për koalicion me LDK-në.

“Ndodhemi në numërimin e fundit nga seanca për të hënën. Marrëveshja do të ishte lehtësim i vullnetit të qytetarëve. Është e qartë që simpatizantët e dy subjekteve VV-LDK do të preferonin një qeveri që do të ishte e udhëhequr nga këto parti, duam t’i përmbushim premtimet”, tha ajo.

Kollçaku, tha se duhet të bëhet përafrim i dyanshëm, jo vetëm nga ana e VV-së.

“Meqenëse nuk janë mbyllur të gjitha dyert, ekziston mundësia të jetësohet ky koalicion. Më shumë përpjekje ka bërë VV-ja, sepse realisht mandatarit i takon të angazhohet më shumë. Nëse e bëjmë një kthim që prej 6 tetorit 2019, ju e dini sa përpjekjet janë bërë deri sot. Më pas presidenti e konsumoi afatin kushtetues prej 30 ditëve dhe ne e shfrytëzuam atë kohë për përafrimin e marrëveshjes me LDK-në”, u shpreh tutje ajo.

Kollçaku, u shpreh se “nuk e kemi ditur që çështja e posteve do të jetë pengesë”.

“Kemi qenë të bindur se marrëveshjen do ta arrijmë më shpejtë”, u shpreh Kollçaku.

Kollçaku më tutje tha se “qytetarët, e votuan Albin Kurtin si bartës të shpresës, VV-LDK”.

“Shpresa më e madhe është për ndryshim substancial, do të largojmë një mentalitet korruptiv me institucione të kriminalizuara dhe shtet të kapur”, tha ajo.

Ajo theksoi se lëshimin e parë që e kanë bërë për t’u arritur gjithsesi koalicioni me LDK-në, është Ministria e Punëve të Brendshme.

Tutje, nënkryetarja e Vetëvendosjes, tha se shpreson që gjatë vikendit të arrihet një marrëveshje.

“Kurti e ka dëshmuar që e ka guximin, dijen e përgatitjen për të qeverisur me Kosovën. Është njeriu që në këto momente i duhet Kosovës. Ai nuk e dëshiron me çdo kusht pushtetin”, tha ai.

“Nuk është çështja e parlamentarit që na ka sjellë në këtë moment”, tha Kollçaku, duke mos treguar se çka tjetër atëherë e ka bllokuar arritjen e marrëveshjes për koalicion.

“Këmbëngulja në pozicionin e presidentit, është më mirë të ulemi bashkë e të gjejmë një person konsensual, jo vetëm mes dy subjekteve tona por edhe qytetarët. Ai s’duhet të jetë pjesë e pazareve”, tha ai.

Kollçaku, tha se tash e kanë Kuvendin të konstituuar dhe do të punojnë më shumë.

“Nuk është betejë kush fiton e kush hup më shumë. Është betejë për ndryshim substancial në Kosovë”, tha ajo.

Tutje ajo foli edhe për ndryshimin e numrit të ministrive.

“Edhe nëse rritet numri nuk është problem, sepse kur do marrëveshje duhet të gjesh modalitet”, u shpreh Kollçaku.

Nënkryetarja e VV-së, tha se “Edhe nëse na ndahen rrugët, mbesim në opozitë”.

“VV-ja s’ka qenë penguese për formimin e Qeverisë”, tha ajo.

Nëse të hënën nuk arrihet marrëveshja me LDK-në, Kollçaku tha “ekzistojnë të gjitha mundësitë, vetëm jo të diskutojmë me subjekte tjera”.