Musliu: I madh dëmi që Kurti ka shkaktuar në arenën ndërkombëtare – Ai shkatërroi edhe njësitë speciale

Si jo rrallëherë, kritikat nga ana e deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu kundrejt Kryeminsitrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nuk janë të pakta. Kësaj radhe, kritikat i ka për veprimet e tij ndaj Policisë së Kosovës.

E ftuar në “FIVE” të RTV Dukagjini, Musliu e ka cilësuar si një “shkatërrim” të njësive speciale të Policisë së Kosovës dërgimin e tyre në ruajtje të objekteve komunale në veri të vendit. Megjithatë, dëm më të madh, Musliu vlerëson se Kurti ka shkaktuar në arenën ndërkombëtare.

“Në asnjë vjet, që nga pavarësia..njësitë special janë duke i degraduar. Ato po bëjnë një punë rojtari. Njësia Speciale të shkojë të ruaj komunën, të ruajë Lulëzimin, nuk është më special. Ai (Kurti) e ka degraduar njësinë speciale. Kjo është tmerr se çfarë po bën…Kurti e ka kthyer Kosovën mbrapa. Shumë më i madh është dëmi që e ka shkaktuar në arenën ndërkombëtare sesa dëmi në Mitrovicë. E ka kthyer në minus atje…vet fakti se ai i delegon njësitë speciale të ruajnë Lulëzimin në Leposaviq, kjo s’do koment. Kjo është shkatërrim i shtetit, shkatërrim i njësive elite të Policisë së Kosovës”, ka deklaruar ajo.

Tutje, Musliu vlerëson se veriu i Kosovës nuk ka qenë asnjëherë më pak në kontroll sesa sot.