Kolonat e gjata në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, policia del me njoftim

Policia e Kosovës ka shtuar masat për mbarëvajtjen dhe ofrimin e sigurisë në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, e ku thuajse çdo ditë po krijohen kolona të gjata.

Kjo sipas policisë është bërë me qëllim të parandalimit të aksidenteve.

“Duke marrë parasysh fluksin e shtuar të automjeteve në trafik ditëve të fundit, ku rrjedha e trafikut po zhvillohet me e ngadalësuar dhe si rrjedhojë po krijohen kolona të gjata sidomos në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë, referuar kësaj gjendje në kuadër të Planit Operativ ,,Sezoni veror 2023”, Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicën e Jugut po vazhdon me masa të shtuara për mbarëvajtjen dhe kontrollin e trafikut me qëllim të ofrimit të sigurisë, parandalimit të aksidenteve dhe reduktimin e kolonave në rrugë”, thuhet në njoftim.

Policia poashtu ka bërë të ditur se kanë shtuar patrulla në udhëkryqe, rrethrrotullime dhe segmente të caktuara rrugore.

“Në këto rrethana, me qëllim të rrjedhjes normale të trafikut në ditët në vijim prezenca policore përpos njësive të trafikut do të ketë njësi shtesë nga angazhuara të cilat do të jenë të pranishme në udhëkryqe, rreth-rrotullime si dhe segmente të caktuara rrugore për kontrolle dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik. Në kuadër të këtyre angazhimeve të shtuara njësitë policore po ndërmarrin veprimet e parapara ligjore duke mos përjashtuar gjobat ndaj kundërvajtësve të cilët nuk iu përmbahen rregullave dhe rrezikojnë pjesëmarrësit në trafik. Në 24 orët e fundit janë shqiptuar 147 gjoba të ndryshme, përfshirë kundërvajtje pa patentë shofer, pa regjistrim te automjetit, ngasje nën ndikim”alkooli, përdorim i telefonit gjatë ngasjes etj”, thuhet tutje në njoftim.