Komandantët, Kurtit: S’është koha për ri-verifikim të veteranëve, ndonëse s’janë 60 mijë”

Ish-komandantët e UÇK-së nuk e kanë pritur mirë paralajmërimin e kryeministri Albin Kurti për ri-verifikim të listave të veteranëve të UÇK-së.

Ata kanë bërë me dije se tani nuk është koha që të flitet për një proces të ri-verifikimi të kategorive të dala nga lufta, ndonëse kanë pranuar se listat janë fryrë.

Sipas tyre, rikthimi i kësaj teme është ofendim për veteranët e UÇK-së.

Ish-zëvendëskomandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Llapit, Kadri Kastrati, ka thënë për gazetën Nacionale se Kosova ka tema shumë më të rëndësishme për t’u diskutuar.

Ai ka theksuar se këtë çështje kryeministri së pari duhet ta diskutojë me komandantët e zonave.

“Mendoj se është një temë jo e kohës, sepse Kosova ka probleme shumë më të mëdha momentale, qofshin ekonomike, apo të sigurisë, se sa kjo çështja e veteranëve. Këtë temë ai duhet ta trajtojë jo nëpër medie, por t’i thërrasë komandantët e zonave në takim dhe ta diskutojnë. Sepse komandantët e zonave janë të vetmit ata që munden me i ri-verifiku nëse kërkohet që të verifikohen listat e veteranëve, invalidëve apo të familjeve të dëshmorëve”, ka thënë Kastrati.

Ai ka vlerësuar se ngritja e kësaj çështje në kohen kur kjo kategori po përballet me vështirësi të ndryshme është e papranueshme.

“Unë jam i pajtimit që lista e veteranëve është e fryrë, por kryeministri do të duhej t’u adresohej komandantëve të zonave, dhe pastaj bashkë me ta dhe komisionit që e ka bërë verifikimin, pavarësisht asaj që është bërë një proces gjyqësor dhe ata janë shpallur të pafajshëm. Pra, gjykata ka vendosur se komisioni i verifikimit ka punuar drejt dhe nuk kanë kontrabanduar në listë njerëz që nuk kanë qenë veteranë. Unë nuk e kuptoj arsyen se pse kjo temë bash në këtë kohë po hapet sërish, kur duket që veteranët për shkak të ngritjes së çmimeve po përballen me vështirësi”, ka thënë Kastrati.

Ditë me parë, edhe ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti që të mos e shndërrojë në temë çështjen e veteranëve.

Nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, ai ka thënë se rikthimi i kësaj teme është ofendim për veteranët e UÇK-së.

“Ata nuk e kanë lajmin e mirë prej nesh që t’u rriten pensionet, mirëpo po ashtu nuk e meritojnë ofendimin që bash në këtë kohë, me fillu edhe njëherë me i kthy diskutimet se kush është veteran i vërtetë apo jo, kush është luftëtar i vërtetë apo jo. Nuk është koha e tillë. Pa pasur edhe një proces gjyqësor, tash është koha kur duhet t’i respektojmë e nderojmë ata”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka treguar se këto kategori po përballen më vështirësi në këtë kohë të krizës.

“Të mos i ofendojmë këta njerëz, e di se ata asnjëherë nuk do të vijnë me u thanë pushtetarëve na i rritni të hyrat, apo na i rritni pensionet. Por, ju siguroj se një pjesë e madhe e tyre janë në vështirësi, fëmijët e tyre janë në vështirësi dhe e presin një kujdes nga qeveria jonë”, ka thënë Haradinaj.

Ri-verifikimi mund të bëhet vetëm nga komandantët

Javën e kaluar, kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), ku është diskutuar edhe çështja e verifikimit të listave të kësaj kategorie.

Pas takimit, ushtruesi i detyrës së kryetarit të kësaj organizate, Faton Klinaku, ka treguar se ia kanë bërë të qartë kryeministrit se kush mund ta bëjë ri-verifikimin e listave të veteranëve të UÇK-së.

“Kur kanë aplikuar njerëzit, ka qenë e përcaktuar me ligj se keqpërdorimi i statusit të veteranit paraqet vepër penale. Si organizatë e veteranëve të luftës së UÇK-së, po harrohet se duke parë shifrat, para disa viteve kemi kërkuar që procesi i verifikimit të veteranëve duhet të hetohet nga prokuroria dhe për këtë është nisur proces gjyqësor, i cili ende po vazhdon. Verifikimi i veteranëve të luftës mund të bëhet me proces gjyqësor, që të shihet se ku është bërë shkelje ligjore, por edhe nëse fillon të krijohet tjetër komision qeveritar, nuk mund të verifikohet ndryshe përveçse me anë të komandantëve të UÇK-së”, ka shkruar Klinaku në profilin e tij në Facebook.

Ai ka bërë me dije se organizata që përfaqëson nuk do të përzihet në këtë proces.

“Ne si OVL-UÇK, nuk kemi pasur të bëjmë asgjë me verifikim e as nuk kemi, por përfaqësojmë veteranët dhe e kemi obligim të përkujdesemi për mirëqenien e tyre. Këto ia kemi thënë në takim edhe kryeministrit”, ka shkruar Klinaku.

Ditë me parë, kryeministri Albin Kurti ka përmendur mundësinë e ri-verifikimit të veteranëve të UÇK-së.

Në një intervistë për RTK-në, ai ka thënë se Kosova nuk ka pasur më shumë se 20 mijë veteranë.

“Besoj që mirë do të ishte. Kush e formon e kush e bën është pak e rëndësishme. Nuk e di a do ta quajmë riverifikim, por kemi nevojë për dëshmi. Lufta ka nevojë për të vërteten edhe në kuptimin sasior. Po përfundojmë duke i ditur saktë vetëm të vdekurit. Duhet t’i dijmë edhe të gjallët”, kishte thënë Kurti.

Kryeministri Albin Kurti është i pajisur me certifikatën e veteranit luftëtar të UÇK-së, ndonëse nuk kishte aktiv në luftë. Shumë nga komandantët e UÇK-së janë deklaruar se Kurti nuk mund të jetë veteran, ngase për asnjë ditë nuk ka qenë në luftë.

Zyrtarët e OVL-UÇK-së kanë njoftuar se statusi i tij i veteranit është verifikuar nga ish-veprimtari Adem Demaçi, i cili kishte nënshkruar listën e atyre që kanë punuar në zyrën e UÇK-së në Prishtinë, të cilën e kishte udhëhequr Demaçi.

Në vitin 2018, Prokuroria e Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Agim Çekut, kryetar i komisionit për verifikim të veteranëve, dhe anëtareve të komisionit: Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Sipas aktakuzës, këta ngarkoheshin me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërsa, në janar të vitit 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur të pafajshëm 12 të akuzuarit.

Por, aktgjykimin e pafajësisë të marrë nga trupi gjykues në Gjykatën Themelore të Prishtinës, e kundërshtoi Prokuroria duke u ankuar në Gjykatën e Apelit.

Më 25 maj 2021 ankesa e Prokurorisë ishte pranuar nga Apeli, dhe për t’u marrë me këtë lëndë ishte caktuar gjyqtari Bashkim Hyseni.

Gati 1 vit nga pranimi i ankesës, kjo instancë gjyqësore nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar për këtë rast.