Komision faktmbledhës për raportin e Dick Marty/ Kontribut që Shqipëria duhet të japë për lidershipin e UÇK

Kryeministri Edi Rama foli sot për nismën e një grupi deputetësh socialistë për ngritjen e një komisioni faktmbledhës, pasi siç tha ai “për çështjen e Kosovës dhe akuzave të bëra mbi lidershipin e UÇK-së, kanë interferuar në mënyrë të vazhdueshme ngjarje të presupozuara, vendbanime të presupozuara në Shqipëri”.

“Këtu është bërë një bolori e madhe kur Taulant Balla ka folur për një komision parlamentar, është projektuar si komision për Lulzim Bashën. Nuk ka lidhje fare. Dhe letra e Pacollit sot faktikisht është mot à mot, ajo që është në idenë e një grupi njerëzish në PS për të ngritur një komision. Nuk ka lidhje fare me Lulzim Bashën. Çështja e Lulzim Bashës është çështje e karakterit të lidershipit, nuk ka lidhje me të tjerat”, tha Rama.

“Komisioni është për çështjen e Kosovës dhe akuzave të bëra mbi lidershipin e UÇK-së, ku kanë interferuar në mënyrë të vazhdueshme ngjarje të presupozuara, vendbanime të presupozuara në Shqipëri. Është një çështje transparence dhe kontributi që Shqipëria duhet të japë në këtë proces në mbështetje të atyre njerëzve që janë atje në Hagë. Ata duhet t’i nënshtrohen një procesi gjyqësor dhe këtu është drejtësia që duhet të bëjë drejtësi. Nuk jam ngritur kundër idesë që duhet shkuar deri në fund për të zbardhur çdo krim të mundshëm lufte, por kundër asaj fletërrufesë që doli para se të ngrihej aktakuza”, tha Rama.

Ndërkohë, Rama tha se Shqipëria në këtë proces ka rol edhe si anëtare e KiE-së dhe Pacolli ka shumë të drejtë, ai është synimi për këtë komision. “Jo një komision i ngritur për Lulzim Bashën se s’ka asnjë lidhje, por i ngritur për të renditur faktet lidhur me çfarë veprimtarie është zhvilluar në Shqipëri. Dhe jo fakte si romani horror i Dick Marty-t, por bazuar në dokumente të shkruara dhe që lidhen me procese hetimore të zhvilluara në Shqipëri”, tha Rama.

“Një nga faktet që unë kam dëgjuar së fundi duke u marrë me diskutimin e brendshëm, ka qenë që për një njollë gjaku të prezumuar si gjaku i një torture apo keqtrajtimi çnjerëzor në të ashtuquajturën ‘Shtëpi e verdhë’, faktikisht këtu është shkulur komplet suvaja, është bërë ADN-ja dhe ka rezultuar se nuk ka qenë gjak njeriu, por gjak bagëtish të varura. Ju flas për diskutime të brendshme të bazuara në të dhëna të ndryshme që ne kemi mbledhur. Të gjitha këto duhet të verifikohen dhe renditen sipas një procedure ligjore të parlamentit të Shqipërisë që ka të drejtën të grumbulloj të gjithë dokumentacionin zyrtar që gjendet në prokurori për të kuptuar se çfarë është e gjithë e vërteta e faktuar, jo teoritë”, shtoi Rama.

Rama tha se tani është koha për ta bërë këtë dhe e vonuar ose jo, kjo është një çështje që ha diskutim, por sot që ata njerëz gjenden në bankën e të akuzuarve dhe unë jam i bindur që pavarësisht kalvarit e drejta vonon por nuk harron, kam parasysh edhe kalavarin e  Haradinaj, Limaj dhe nuk shoh asnjë arsye pse kalvari i Thaçit, Veselit, Krasniqit të jetë i ndryshëm, ne të mundemi të bëjmë detyrën tonë në këtë moment kaq të vështirë”.

“Nëse do ta kishim bërë më parë mund të ishim paragjykuar si lojë obstruksioniste për të nënçmuar Tribunalin. Ashtu sikundër akuzohet Thaçi se ka dashur të pengojë Tribunalin, kur Thaçi ka qenë personi që pa të nuk do ishte votuar kurrë Tribunali në Kosovë”, shtoi Rama./atsh/