Komiteti për vlerësim të situatës me koronavirus del me rekomandim për barnatoret

Komiteti për Koordinim dhe Vlerësim të situatës epidemiologjike lidhur me Koronavirusin Covid-19 kërkon nga qytetarët që të respektojnë vendimet e Qeverisë për menaxhimin e situatës dhe rregullat që kanë të bëjnë me mbrojtjen e personelit shëndetësor me rastin e marrjes së shërbimeve.

Ky komitet me anë të një njoftimi bën të ditur se në bashkëpunim me Odën e Farmacistëve të Kosovës kanë disa rekomandime për barnatoret në vend:

Para se të fillohet puna me pacientë të bëhet organizimi i barnatores, pastrimi dhe dezinfektimi;

Të përdoren në mënyrë obliguese dorëzat nga personeli në barnatore.
Në rast se ndonjë pacient i dyshuar ka qëndruar në barnatore, vendi duhet të dekontaminohet;

Të vendoset rendi ashtu që të jenë të përcaktuar qartë distanca në mes të personelit dhe pacientëve/qytetarëve;

Qytetarët të kenë kujdes që të mos qëndrojnë gjatë në barnatore pasi edhe vetë pritjet e gjata në barnatore mund të jenë burim i infeksionit dhe rrezikojnë edhe personelin në barnatore;

Të mos lejohet më shumë se një person brenda barnatores ose shërbimi të bëhet përmes dritareve të kujdestarisë;

Barnatoret të tentojnë të mbajnë stoqe adekuate të produkteve medicinale duke i këshilluar qytetarët që ata të mos bëjnë furnizime afatgjata në shtëpitë e tyre e më tej t’u mbesin si mbeturina medicinale për shkak të kushteve jo-adekuate të ruajtjes apo pas skadimit;

Barnatoret duhet të jenë të hapura përveç në rast se vendoset ndryshe nga Qeveria.
Personeli në barnatore si edhe profesionistët e tjerë shëndetësorë obligohen të jenë në detyrë përveç në rastet kur të dy bashkëshortët janë profesionistë shëndetësorë, njëri mund të lirohet nga detyra;

Në rast se paraqitet ndonjë rast i dyshuar të merren masat e izolimit dhe të ndiqen këshillat sipas udhërrëfyesve të shpërndarë nga OFK.