Kompromis për taksën

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka thënë se masa e vendosur ndaj produkteve serbe nuk hiqet pa u eliminuar fillimisht arsyet për të cilat është vendosur kjo tarifë, përcjell Klan Kosova.
Por, pas rritjes së presionit nga SHBA-ja dhe BE-ja për heqjen e taksës 100% analistët politikë vlerësojnë se duhet arritur kompromis për këtë çështje, përkatësisht duhet të dihet se çka përfiton Kosova nga heqja e saj.
Ende pa u bërë dy muaj të plotë prejse Qeveria e Kosovës ka vendosur taksën prej 100 për qind ndaj produkteve që vijnë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina është rritur dukshëm presioni ndërkombëtar, veçmas nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe nga Bashkimi Evropian (BE) për heqjen e kësaj tarife.
Pavarësisht kërkesës së SHBA-së për largimin e menjëhershëm të taksës ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI) Endrit Shala ka thënë për “Zërin” se masa e vendosur ndaj produkteve serbe nuk hiqet pa u eliminuar fillimisht arsyet për të cilat është vendosur kjo tarifë.
Megjithëkëtë, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli ka deklaruar se Kosova s’mund ta refuzojë kërkesën e SHBA-së për heqjen e taksës.
Por, njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se në rast se shfuqizohet tarifa në fjalë Kosova duhet të kërkojë të dijë saktë se çka përfiton nga një veprim i tillë.
Si kusht për heqjen e taksës sipas tyre duhet të kërkohet njohja e Kosovës nga Serbia, rrjedhimisht edhe ndalimi i pengesave që Serbia vazhdimisht ia ka bërë Kosovës në politikën e jashtme.