Komuna e Skënderajt ndan nga 100 euro për fëmijët e sapolindur

Komuna e Skenderajt sot ka ekzekutuar pagesat e para për fëmijët e sapolindur për 70 aplikimet e bëra nga data 04.01.2021 deri më 25.03.2021, në shumën prej 100 euro për secilën lindje.

Kryetari Bekim Jashari në një postim në Facebook ka ftuar të gjithë prindërit që të kryejnë aplikimin që të marrin sa më shpejt subvencionin, duke paralajmëruar se vitet në vijim do të rrisin vlerën e këtij subvencioni.

“Krahas kësaj shteti ynë duhet të fillojë sa më shpejt dhënien e shtesave për fëmijët, në mënyrë që të ndikojmë kështu në rritjen e natalitetit në shtetin tonë dhe krijimin e kushteve më të favorshme për rritjen e fëmijëve”, ka shkruar Jashari.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë,

Sot kemi ekzekutuar pagesat e para të subvencionit për fëmijët e porsalindur për 70 aplikimet që janë bërë nga data 04.01.2021 e deri më 25.03.2021, në shumën prej 100 euro për secilën lindje.

Aplikimi për të marrë këtë subvencion po vazhdon për çdo ditë pune, andaj i ftoj të gjithë prindërit që të kryejnë aplikimin në mënyrë që të marrin sa më shpejt subvencionin.

Të dashur qytetarë, jam i vetëdijshëm që përkrahja për familjen dhe fëmijën në veçanti duhet të jetë shumë më e madhe, por që buxheti i limituar i komunës sonë nuk mundëson aktualisht përkrahje më të madhe, kurse vitet në vijim do të rrisim vlerën e këtij subvencioni.

Krahas kësaj shteti ynë duhet të fillojë sa më shpejt dhënien e shtesave për fëmijët, në mënyrë që të ndikojmë kështu në rritjen e natalitetit në shtetin tonë dhe krijimin e kushteve më të favorshme për rritjen e fëmijëve.

Uroj që të kemi sa më shumë lindje!